E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti te OSSH: Shkurtoni kohën e lidhjeve të reja



nertila maho

Largimet e padrejta nga puna, kohëzgjatja për lidhjen në rrjet apo transparenca ishin temat rreth të cilave u përqendrua takimi i Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti dhe drejtorit të përgjithshëm të OSSH-së, Jozef Hejsek. Vizita e Priftit në zyrat e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes vjen në prag të 1-vjetorit të privatizimit të kompanisë nga çekët e CEZ. Prifti në linja të përgjithshme bëri një vlerësim pozitiv për punën e çekëve gjatë një viti, por nuk harroi të përmendte edhe një sërë aspektesh ku duhet të kihet më shumë kujdes. Një prej tyre ishte ajo e largimit nga puna të personave që për vite të tëra kanë punuar në kompani. "Jam plotësisht dakord që kur personat kapen me abuzime, kur bëjnë mashtrime dhe vjedhje ndaj kompanisë së vet, të largohen nga puna, por edhe të bëhet kallëzim penal në prokurori. Por, në disa raste të tjera janë larguar njerëz jo mbi prova të verifikuara, jo mbi një dosje të justifikuar për largimet e tyre, njerëz që kanë punuar edhe 20 apo 30 vjet në kompani", u shpreh Prifti. Një tjetër pikë ku u ndal ministri ishte ajo e transparencës me publikun. Kreu i Energjetikës propozoi që të vendosen qendra telefonatash, ku publiku të komunikojë me kompaninë për shërbime më të mira. Edhe kohëzgjatja e vendosjes së lidhjeve të reja ishte një tjetër aspekt i kritikuar nga ministri, i cili u shpreh se ka klientë që presin me javë dhe muaj të tërë për t'u lidhur me rrjetin. Për t'i mundësuar kompanisë çeke lehtësi në punën e saj, në mënyrë që të ofrojë një shërbim sa më cilësor tek klientët, ministri Prifti garantoi edhe për një kuadër të plotë ligjor. "Garantoj që edhe Parlamenti është në dispozicionin tuaj, nëse do të jetë e nevojshme, për të bërë ligje të reja, për të goditur abuzuesit, sepse është e papranueshme që humbjet janë rreth 34 për qind dhe më shumë se sa 20 për qind janë vjedhje që i bëhen energjisë elektrike. Në qoftë se do të duhet të ashpërsojmë Kodin Penal na thoni, sepse ne jemi të gjithë të interesuar, pozitë dhe opozitë, që kjo kompani të ecë mirë, që shqiptarëve t'i shërbehet më mirë", përfundoi ministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›