E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dole: Bukoshi, njeri i ndershëm

Senatori amerikan, Bob Dole përmes një letre ka përshëndetur vendimin i cili e ka liruar ish zëvendëskryeministrin kosovar, Bujar Bukoshi nga akuzat për korrupsion.

“Jam i kënaqur kur morra vesh lajmin për shfajësimin e Dr. Bujar Bukoshi nga akuzat kundër tij në Prishtinë. Unë e njohë Dr. Bukoshin për shumë vite, që prej kohës kur ishte Kryeministri i Kosovës në ekzil dhe tash si njeri i ndershëm si dhe një lider politik me kapacitete të larta dhe shërbyes civil. Duke pasur besim në procesin gjyqësor, unë jam përmbajtur nga komentet deri më tash, mirëpo sot (ditën kur u morr vendimi) unë jam siguruar nga verdikti i gjyqit në rastin e Dr. Bukoshit”, shkruan në letrën e senatorit amerikan.

Bujar Bukoshi ish anëtar i LDK dhe tash pjesë e Listës Ibrahim Rugova, së bashku me ish sekretarin permanent të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolajn dhe disa zyrtarë të tjerë akuzoheshin për korrupsion apo falsifikim të dokumenteve zyrtare në bashkëkryerje dhe për shmangie të tatimit.

Tolaj së bashku me dy ish zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Shëndetësisë u dënuan ndërsa katër persona, përfshi edhe Bujar Bukoshin u liruan nga akuzat. Menjëherë pas këtij vendimi, kryeministri i Kosovës i bëri ftesë Bukoshit që të kthehet në qeveri.

Këtë e ka dëshirë edhe senatori amerikan i cili letrën e tij dërguar në Kosovë e përfundon me fjalët, “Shpresoj që populli i Kosovës edhe njëherë të përfitojë nga shërbimi i Dr. Bukoshit për popullin e ti për shumë vite të ardhshme”./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›