Avokatët para drejtësisë
Për shtatë vjet dyshohet se kanë bashkëpunuar shumë mirë njëri me tjetrin, duke përfituar pasuri të madhe në mënyrë të kundërligjshme.
Ata kanë falsifikuar dokumentet me qëllim që nga aksidentet në komunikacion të mos përfitojnë palët e dëmtuara, por të fryhen xhepat e tyre.
Por, nga dita e martë, Kolë Puka, Zef Marleku e Lon Palushaj zyrtarisht ngarkohen së paku me pesë akuza të përfshira në veprën penale të krimit të organizuar.
Për këtë arsye, prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj këtyre personave, të cilët tash ushtrojnë detyrën e avokatit.
Dyshohen se nga viti 2002 deri në vitin 2009, Kolë Puka, në atë kohë nga pozita e gjyqtarit në Gjykatën Komunale në Klinë dhe dy të tjerët si avokatë, Zef Marleku e Lon Palushaj, kanë falsifikuar dokumente duke i sjellë vetes përfitime të mëdha.
Përveç prokurorisë, hetime ndaj këtyre tre avokatëve ka nisure dhe Oda e Avokatëve të Kosovës, institucioni më i lartë në vend që rregullon punën në këtë fushë.
Por, vetë të akuzuarit nuk pranojnë të thonë diçka më shumë në lidhje me këtë çështje, duke sqaruar se në mënyrë zyrtare ende nuk e kanë marrë asnjë njoftim.
“Akuzat, nëse është kështu si thoni ju, sepse unë ende nuk kam marr asgjë zyrtare, duhet të vërtetohen. Tash nuk mund të them asgjë pa e parë rastin, por shpresoj që drejtësia të dalë në shesh”, thotë Leon Palushaj, një nga të akuzuarit, për Express.
Megjithëkëtë, krahas hetimeve të organit më të lartë të akuzës në vend, të njëjtën gjë brenda kornizës së vet ligjore është duke e kryer edhe Oda e Avokatëve të Kosovës.
“Oda e Avokatëve e ka marrë njoftimin zyrtar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Komisioni ynë Disiplinor ka nisur hetimet për këtë rast”, thotë Flamur Ramadani, zëdhënës i OAK-ut.
Ai për Express sqaron se hetimet e OAK-ut, në lidhje me raste të tilla mund të zgjasin deri në dy muaj, ku në fund, bazuar në rezultate, edhe merret vendimi.
“Nuk mund të paragjykoj se çfarë vendimi mund të merret, por vendimi më i lehtë është vërejtje, kurse më i rëndi është marrja e licencës së punës së avokatit”, thotë zëdhënësi Ramadani.
Pavarësisht kësaj, bazuar në aktakuzën e ngritur nga prokurori i Prokurorisë Speciale, tre avokatët ngarkohen për veprën penale të krimit të organizuar.
Dyshohet se ata kanë kryer veprën penale të shpërdorimt të pozitës zyrtare ose të autorizimit, pastaj për nxjerrjen e kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, për raste të posaçme të falsifikimit të dokumenteve, për keqpërdorim të besimit, shpëlarje të parasë dhe shmangie nga tatimi.
Kështu, të pandehurit, ngarkohen se këto vepra penale i kanë kryer së bashku me tash të ndjerin, H. H. i cili ka qenë përgjegjës në kompaninë e sigurimit “Kosova” në Prishtinë.
Sipas aktakuzës, në periudhën 2002-2009, në mënyrë të paligjshme, këta persona, duke falsifikuar dokumente relevante, që ishin për kompensim dëmi pranë kësaj kompanie, kanë tërhequr mjete financiare në vlera milionëshe.
Të gjitha këto ata dyshohen se i kanë bërë pa dijeninë e palëve të dëmtuara, që nga aksidentet në komunikacion, kanë pësuar me lëndime trupore apo edhe me humbjen e jetës.
Përveç kësaj, prokurori dyshon se edhe në rastet kur palët kanë ditur për kompensim të dëmeve dhe kanë autorizuar për rastet e tyre personat tash të pandehur, të njëjtit, klientëve të tyre nuk u kanë dhënë vlerën e saktë të të hollave.
Në vend të kësaj, ata klientëve të vet u kanë dhënë shumën e parave në vlerë shumë më të ulët, duke i mashtruar ata.
“Me këto të holla, të tre të pandehurit kanë blerë patundshmëri brenda dhe jashtë vendit, të cilat asete në një masë të madhe, janë sekuestruar. Po ashtu janë sekuestruar edhe një vlerë e madhe e mjeteve financiare”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Sipas organit të akuzës, në këtë mënyrë, të pandehurit kanë kryer edhe veprën penale të shmangies nga tatimi.
Në këtë pikë, në mënyrë të veçantë përmendet Kolë Puka, për të cilin prokuroria saktëson se vlera e shmangies nga tatimi është më tepër se gjysmë milioni euro (500 mijë euro).
“Lidhur me këtë rast së shpejti do të ngritën edhe aktakuza tjera, ndërkaq hetimet i ka udhëhequr dhe ka ngritur aktakuzën një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”, thuhet në sqarimin e Prokurorisë.
Kjo nuk është hera e parë që hetohen zyrtarë të sistemit të drejtësisë për vepra të ngjashme penale, megjithëkëtë, është hera e parë që akuzohen disa persona për krim të organizuar.