E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Ulqin, për të 11’n herë

Të paktën 50 botues nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Bosnje e Hercegovina marrin pjesë në Panairin e Librit Ulqini 2011, i cili u hap të hënën mbrëma, në Ulqin. Nga Express më 27 korrik 2011 në ora 14:44

Ministrja malazeze e Shkencës dhe Teknologjisë, Sonja Vlahovic, zëvendësministrja shqiptare e Kulturës, Suzana Turku, dhe ministri i kosovar i Kulturës, Memli Krasniqi, e shpallën të hapur edicionin e 11 të panairit, para disa qindra të pranishmëve, shumica e të cilëve pushues.

Panairi tradicional, që filloi të organizohej kur Mali i Zi ende ishte pjesë e ish-Jugosllavisë, cilësohet si një faktor mbrojtës i identitetit dhe i kulturës shqiptare në Mal të Zi.

Nën patronazhin e kryebashkiakut të Ulqinit, Gëzim Hajdinagës, panairi njëjavor i librit në Ulqin, i hapur buzë shëtitores së Plazhit të Vogël, sivjet ekspozon rreth 5,000 tituj librash, shumica e të cilëve janë tituj të rinj të të gjitha gjinive. Pra, nuk mungojnë librat e autorëve më të mirë shqiptarë, si Ismail Kadare, Fatos Kongoli, Ben Blushi, Diana Çuli, Zija Çela, Flutura Açka, Viktor Canosinaj, etj. e as të atyre të huaj, si Paulo Coelho, Ugo Ricarelli, Alberto Bevilacqua, Raffaele Nigro, Orhan Pamuk, N. Sparks, etj.

Veç kësaj, para publikut në Ulqin do të ekspozohen edhe libra historikë, botime enciklopedike, doracak dhe harta turistike të çdo lloji, letërsi për fëmijë, fjalorë dhe metoda për mësim të shqipes dhe të gjuhëve të huaja, libra për zanate e profesione të ndryshme, albume e katalogje të ndryshëm, etj.

Ndryshe, Panairi për herë të parë u iniciua nga Shoqëria e Librit Shqip, me mbështetjen e Komunës së Ulqinit dhe të Qeverisë së Malit të Zi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›