Ilir Kumbaro merr avokat në Tiranë
Ish-shefi i SHIK-ut në Tiranë, Ilir Kumbaro, më në fund është bërë "i gjallë". Dje ai ka preferuar të mbrohet me avokat në procesin gjyqësor në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku po akuzohet për rrëmbimin e Remzi Hoxhës, Ziso Kristopulit dhe Avdyl Loshajt. Dje avokatët Bledar Fejzo dhe Vojo Bregu, në fillim të seancës gjyqësore, u paraqitën anëtarëve të trupit gjykues një prokurë të posaçme të firmosur nga Ervin Kumbaro, djali i Ilir Kumbaros. "Zotërinj gjyqtarë. Jemi avokatët e Ilir Kumbaros, i akuzuar nga prokuroria për rrëmbimin e tri personave në vitin 1995. Kemi një prokurë nga familjarët për përfaqësimin e tij në këtë gjykatë", thanë avokatët, duke iu drejtuar trupit gjykues. Këta të fundit, pasi verifikuan prokurën, lejuan dy avokatët Bledar Fejzo dhe Vojo Bregu që të mbrojnë interesat e Ilir Kumbaros, i cili deri dje ishte mbrojtur në procesin penal nga një avokat i caktuar kryesisht, pasi prokuroria dhe gjykata nuk kishin asnjë informacion se ku ndodhej i akuzuari. Veprimi i djeshëm i familjarëve të Kumbaros vjen pas vendimit të një gjykate në Londër, e cila vendosi që ish-shefi i SHIK-ut në Tiranë, në vitin 1995, të ekstradohet në Shqipëri. Para këtij vendimi, Kumbaro ishte paraqitur si një shtetas kosovar, me emrin Shaqa Shatri. Por, pas verifikimeve në Kosovë dhe Shqipëri, rezultoi se ai ishte pikërisht Kumbaro, i akuzuari nga prokuroria shqiptare për rrëmbim të trefishtë. Tashmë pritet vetëm lejimi i ekstradimit të tij, duke i dhënë fund kështu procesit në favor të shtetit shqiptar. Për momentin, për Kumbaron pritet që pas ekstradimit nga Anglia të përballet me drejtësinë shqiptare, pasi akuzohet për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha. Pasi humbi të gjitha gjyqet në Londër, duke pretenduar identitet tjetër, tashmë ai ka marrë të gjitha masat që të luftojë me provat e prokurorisë shqiptare, pasi deri dje nuk pranonte se ishte Kumbaro. Mbrojtja e tij do të analizojë të gjithë dosjen dhe më pas do të vendosë për hapat e mëtejshëm.
Arrestimi
Kumbaro u arrestua në Londër për llogari të drejtësisë shqiptare, i akuzuar për rrëmbim të trefishtë. Pas largimit nga Shqipëria, në fund të vitit 1996, Ilir Kumbaro ka zgjedhur si vend fshehjeje Londrën, njësoj si shumë kolegë të tjerë të SHIK-ut. Por, Kumbaro është treguar shumë i kujdesshëm në zgjedhjen e identitetit që do të përdorte. Ish-oficeri i SHIK-ut, i arrestuar vitin e kaluar në Londër, gjatë 12 viteve fshehje në Angli, ka përdorur një sërë identitetesh të rreme. Kjo për t‘i shpëtuar prangosjes pas shpalljes në kërkim në vitin 2000 nga Interpol Tirana. Kumbaro kishte kërkuar azil pranë Ministrisë së Brendshme të Britanisë së Madhe si shtetas kosovar. Por, në dokumente, emri i përdorur prej tij ishte Shaqa Shatri. Po me këtë identitet ai është paraqitur në gjykatë, gjatë seancës së parë gjyqësore të ekstradimit. Kumbaro, në mënyrë mjeshtërore ka mundur të bindë autoritetet britanike se ai ishte shtetas çek që persekutohej në vendin e origjinës. Mospasja e shenjave të gishtërinjve ka qenë avantazhi i përdorur nga ish-spiuni shqiptar para autoriteteve britanike të emigracionit. Ministria e Brendshme, pa e ditur se Kumbaro ishte një prej shtetasve më të kërkuar shqiptarë nga Interpoli, e ka pranuar kërkesën e tij për azil. Më 7 nëntor 1998, po kjo ministri i ka garantuar atij leje qëndrimi përgjithmonë në Britaninë e Madhe. Dokumenti për pranimin e azilit është pjesë e dosjes së ekstradimit. Gjatë kontrollit të banesës, në momentin kur ai është arrestuar janë gjetur një seri dokumentesh identifikuese të falsifikuara, që përdoreshin prej tij. Për 54-vjeçarin Kumbaro, njeriun që di të vërtetën për zhdukjen misterioze të biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, 13 vjet më parë, tashmë pritet vetëm ekstradimi. Nëse bindet nga hetuesit të bashkëpunojë, ai mund të tregojë detaje nga rrëmbimi i Remzi Hoxhës, por ndoshta edhe vendin ku është varrosur, siç pretendojnë familjarët.