E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dollari kapërcen 110 lekë

Kursi

Dollari amerikan përjetoi një ditë tjetër pozitive në tregun ndërkombëtar, pasi investitorët vijuan t’i largohen monedhës së përbashkët europiane. Euro ra dje në 1.22 dollarë, kuota më e ulët e shënuar në 4 vjet. Ekspertët thonë se euro ka hyrë në një periudhë të gjatë dobësie dhe pritet të vijojë të vlerësohet lirë në tregjet ndërkombëtare për shumë vite. Shkaku i dobësimit të euros ishte vendimi i Bankës Qendrore Europiane për të blerë pa kufizim bondet e vendeve anëtare, gjë që nënkupton që borxhi publik i Eurozonës do të paguhet me euro të prodhuara rishtaz. Investitorët besojnë se kjo praktikë do të sjellë inflacion dhe zhvlerësim të euros dhe për këtë arsye po e shesin atë. Në tregun shqiptar, euro qëndroi dje e pandryshuar në kuotën 136.55 lekë, por dollari u shtrenjtua me 1.38 lekë, duke u rritur në kuotën 110.3. Kjo është kuota më e lartë e shënuar nga dollari kundrejt lekut në afërsisht tetë vjet. Në thelb, leku ka vijuar të dobësohet kundrejt euros dhe dollarit. Që nga fillimi i krizës së borxhit grek, leku ka fituar afërsisht 2% kundrejt euros, por ka humbur 8.2% kundrejt dollarit amerikan. Në një skenar shumë optimist, shqiptarët e panumërt që gjatë viteve të fundit kanë marrë kredi në euro, mund të përjetojnë fatin e atyre që në vitet 2000 patën marrë kredi në dollarë. Kostoja e kredive të tyre pritet të ulet si pasojë e dobësimit të euros. Forcimi i dollarit pritet të ketë kosto shtesë edhe për buxhetin e shtetit, pasi shumica dërrmuese e borxhit të jashtëm të Shqipërisë është në dollarë amerikanë dhe këto kredi pritet të shlyhen gjatë viteve të ardhshme.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›