E Diel, 1 Nëntor 2026

Dështojnë përpjekjet për nxjerrjen e anijes nga rëra

Durrës

Prej dy ditësh rimorkiatorët detarë “Dyrrah” dhe “Epidamn” kanë nisur manovrat për nxjerrjen nga rëra dhe kthimin në det të anijes “Emeli”. Anija tremijë tonëshe me port regjistrimi Zanzibarin këputi spirancën dhe doli në breg gjatë fortunalit që përfshiu gjirin e Durrësit mëngjesin e së shtunës. Ecuria e manovrave nuk ka qenë fort e mirë, pasi drejtimi i erës ka ndikuar negativisht në ardhjen e baticës që parashikohej të lehtësonte tërheqjen. Pak muaj më parë, një tjetër anije doli në breg për shkak të motit të keq dhe në pamundësi për të përballuar operacionin e kthimit në det anija u pre për skrap dhe pjesë të saj ndodhen ende në bregun e parë të detit, duke i dhënë plazhit të Durrësit në këtë fillim sezoni një imazh jo fort të këndshëm në këtë pjesë të tij. Kushtet e paqëndrueshme atmosferike kanë bërë që edhe çelja e sezonit turistik në Durrës të shtyhet për në një datë ende të pacaktuar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›