E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korridori i përbashkët, mollë sherri mes shkollës private dhe poliklinikës

Durrës Inspektorati i Ndërtimit prish murin e ngritur nga pronari i shkollës

Rreth 30 mijë banorë të një prej lagjeve më të populluara të qytetit të Durrësit prej dy ditësh kanë mbetur pa shërbim shëndetësor për shkak se pronari i një shkolle jopublike ka bllokuar një pjesë të ambienteve të qendrës shëndetësore. Personeli shëndetësor i qendrës, si dhe banorë të Shkozetit kanë protestuar për mohimin e shërbimit dhe zaptimin e padrejtë të objektit përmes ndërtimit të një muri ndarës. Shqetësimi mori menjëherë reagimin e Inspektoratit Ndërtimor dhe Urbanistik me prishjen e murit. Konflikti nisi pak javë më parë, kur me urdhër të drejtuesve të Shëndetit Publik dhe Institutit të Sigurimeve Shëndetësore në korridorin e përbashkët që qendra shëndetësore ndan me shkollën jopublike (“Ledi Dajana”) u hap një sportel për prerjen e faturave për të gjithë ata që paraqiten pranë mjekut të familjes. Përplasja në korridor e nxënësve që shkonin në katin e dytë të godinës së përbashkët dhe pacientëve që rrinin në radhë, ka bërë që pronari i shkollës të ndërtojë murin ndarës, e justifikuar kjo si një masë parandaluese ndaj rrezikut që mund të cenojë shëndetin e fëmijëve. Mjeku Ndue Marku e vlerëson si të pazakontë situatën dhe vlerëson reagimin e shpejtë të Bashkisë së Durrësit nëpërmjet inspektorëve të ndërtimit që bënë të mundur prishjen e murit dhe kthimin e normalitetit ndonëse përmes mbetjeve të inerteve. Ndërkohë, qytetarët janë shprehur të irrituar për pamundësinë për të përfituar nga shërbimet mjekësore pranë kësaj qendre, veçanërisht marrjen e recetave dhe rekomandimeve për te mjekët specialistë. Aksioni për prishjen u bë me mbështetjen e forcave të policisë së rendit dhe mes inerteve të mbetura qendra rinisi funksionimin normal.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›