Bonot e thesarit 12-mujore ulen nën 8 për qind
Titujt e borxhit të qeverisë shqiptare në lekë me afat maturimi 12-vjeçar pësuan rënie tjetër në interesa në ankandin e fundit të zhvilluar dje pranë Bankës së Shqipërisë. Interesi i bonove 12-mujore u ul me 24 pikë bazë dhe interesi mesatar i pranuar qe 7.89 për qind. Ky është interesi më i ulët i regjistruar që nga tetori i vitit 2008, pra para fillimit të krizës ekonomike botërore. Në ankandin e djeshëm qeveria shiti 7.75 miliardë lekë bono 12-mujore. Kërkesa u mbulua në masën 130 për qind. Interesat e bonove të thesarit kanë pasur tendencë rënëse të theksuar që nga fillimi i këtij viti, por e ardhmja duket e paparashikueshme. Sipas skenarit optimist të qeverisë, emetimi i eurobondeve që mund të ndodhë këtë javë, mund të lehtësojë edhe më shumë interesat e bonove. Por në rast se emetimi i bondeve sovrane në euro dështon, atëherë qeveria do t’i rikthehet me forcë huamarrjes së brendshme, gjë që mund të sjellë rritje të interesave. Tregu i borxhit të brendshëm paguan çdo vit rreth 300 milionë dollarë interesa. Shumica e bonove blihen nga bankat, por rreth 12 për qind e tyre janë blerë nga individët dhe kompanitë, të cilët me këtë mënyrë fitojnë interesa më të larta se sa ofrohen nga depozitat me afat.
#