E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dollari kushton 114 lekë dhe vijon të forcohet

Kursi

Dollari amerikan u shtrenjtua me 1.64 për qind dje kundrejt lekut, duke u ngjitur përtej nivelit prej 114 lekësh, si pasojë e trazirave të reja në tregjet financiare ndërkombëtare. Sipas kursit fiks të Bankës së Shqipërisë, dje në mesditë dollari kushtoi 113.79 lekë ose 1.83 lekë më shumë se të premten. Pasdreke dollari vijoi të forcohej duke kaluar deri në 114.2 lekë. Euro humbi 44 qindarka kundrejt lekut dhe u këmbye mesatarisht për 136.24 lekë. Ndryshimi i fortë erdhi si pasojë e nënçmimit të shpejtë të euros kundrejt dollarit në tregun ndërkombëtar. Dje një euro kushtoi 1.193 dollarë, nga 1.22 që kushtonte të enjten. Kjo është kuota më e ulët e shënuar nga euro kundrejt dollarit që nga fillimi i vitit 2006. Nëpër bursat e botës janë përhapur spekulime që thonë se euro ndoshta do të ecë drejt barazimit me dollarin në vlerë nominale. Forcimi i dollarit jep efekte negative të kufizuara në ekonominë shqiptare, e cila në shumicën dërrmuese të rasteve, përdor euron në marrëdhëniet me jashtë. Megjithatë, borxhi i jashtëm i vendit, i cili është në masë të madhe në dollarë, pritet t’i kushtojë qeverisë më shtrenjtë nga sa qe menduar, ndërsa nafta dhe disa mallra të tjerë të rëndësishëm si çeliku, do të shtrenjtohen gjithashtu. Që nga fillimi i këtij viti, dollari është shtrenjtuar me 19 për qind kundrejt lekut. Në janar, një dollar kushtonte vetëm 96 lekë.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›