E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zihen duke pirë, kushëriri ther kushëririn

Tropojë Ramiz Ymeri gjeti vdekjen nga thika e ngulur në gjoks. Arrestohet Besnik Ymeri

Krimi brenda familjes shënon viktimën e radhës në rrethin e Tropojës. Mesnatën e së dielës, dy kushërinj janë qëlluar me thika në gjendje të dehur, për pasojë njëri prej tyre ka gjetur vdekjen, ndërsa tjetri ka rënë në prangat e policisë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Pac të Komunës Bytyç të Tropojës, kur gjatë një sherri në një lokal ka gjetur vdekjen një 37-vjeçar, baba i katër fëmijëve. Burime të Policisë së Tropojës saktësojnë se Besnik Ymeri, 27 vjeç, ka vrarë me thikë shtetasin Ramiz Ymeri, 37 vjeç. Viktima dhe agresori janë kushërinj dhe banojnë në fshatin Pac. Mësohet se ngjarja ka ndodhur pak minuta pas mesnatës së të dielës, kur dy kushërinjtë kanë qenë duke pirë në një lokal të fshatit. Policia e Tropojës, e njoftuar nga një i afërm i viktimës, ka mundur të ndalojë pak orë pas ngjarjes autorin e vrasjes, i cili nuk ka shfaqur rezistencë. Paraprakisht thuhet se shkak i vrasjes ka qenë një konflikt banal për arsye të konsumimit të tepruar të alkoolit. Njëri nga kushërinjtë ka goditur tjetrin me thikë drejt e në gjoks, duke e lënë të vdekur në vend. Ky është rasti i dytë brenda pak muajsh i plagosjes me thika nën efektet e alkoolit. Kujtojmë që një muaj më parë në qytetin e Bajram Currit, për shkak të konsumit të tepruar të alkoolit, u therën me thika tre persona, njëri prej të cilëve mundi të shpëtojë vetëm falë ndihmës së specializuar në spitalin e Gjakovës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›