E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kriza politike, ngrijnë negociatat

Situata

Negociatat mes dy partive kryesore politike lidhur me hetimin parlamentar të zgjedhjeve duket se kanë hyrë në krizë apo më saktë kanë ulur në minimum ritmin e tyre. Pas kontakteve të imponuara nga faktori ndërkombëtar, palët e përfshira në tryezën e Strasburgut janë fortifikuar pas pozicioneve deklarative dhe objektivave fillestarë për të mbetur kështu të ngërthyer në pikën e nisjes. Burime nga selia rozë bënë të ditur dje për gazetën “Shqip”, se aktualisht komunikimi rreth arritjes së kompromisit është reduktuar më shumë në shkëmbimin e replikave mediatike në nivel politik sesa në përpunimin e drafteve të supozuara se janë hedhur në tryezë. Në fakt, të dhëna indirekte për këtë frenim të negociatave, që si duket fsheh interesin reciprok të dy partive të mëdha, mund të qëmtohen nga qëndrimet e ditëve të fundit të Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut socialist, Edi Rama. Në gati 1 javë që nga momenti i skadimit të “ultimatumit”, numri një i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, ka ndërmarrë një fushatë të pandërprerë improvizimi mediatik, me ide dhe akuza të shpërndara që zënë fill nga masakra e Tivarit dhe ish–presidenti Ramiz Alia e deri te rikthimi i beftë për çështjen e imunitetit të deputetit dhe gjyqtarëve. Këtu nuk duhet harruar vendimi për të paditur penalisht deputetin socialist Tom Doshi apo sekuestrimi me forca policore i shtëpisë së deputetit tjetër Dashamir Peza, në atë që mund të quhet një përpjekje për të krijuar ngjarje të reja. Koncesionin që mundësoi këtë manovrim të ri, Kryeministri duket se e përftoi nga qëndrimi i selisë rozë, e cila pas përfundimit të dy javëve të negociatave zyrtare pranoi zgjatjen e afatit. Ngrirja e situatës në Shqipëri e adreson shpresën e opozitës te faktori ndërkombëtar, riaktivizimi i të cilit duket se dëshirohet më shumë nga kjo e fundit, për shkak të rifaktorizimit. Thënë ndryshe, presioni konstant i PS-së për hapjen e kutive duket se parashikon refuzimin e PD-së për të kërkuar një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Brukseli, ç’ka me sa duket po shfrytëzohet nga Berisha për të mbyllur këtë sezon politik pa asnjë përgjigje.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›