E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duroni edhe pak

EULEX’i nuk është UNMIK dhe nuk është në Kosovë që ta qeverisë vendin. Nëse njerëzit besojnë se, meqë jemi këtu, pas dy vjetësh gjithçka do të jetë në rregull, atëherë ata po shohin ëndrra me sy çelë. Duhet durim për të parë rezultatet e hetimeve për korrupsion. Zëvendësshefi i EULEX’it, Andy Sparkes, flet për Express. Nga Jeton Musliu më 02 maj 2011 në ora 08:42

Andy Sparkes kërkon durim nga kosovarët. Ish-ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, tash numri dy i misionit të EULEX’it, thotë se qytetarët nuk duhet të presin se gjërat do të rregullohen me një të shtypur butoni. Madje, përsërit disa herë se janë institucionet e zgjedhura ato që qeverisin vendin, e jo misioni evropian.

Express: Ditë më parë, nisët një fushatë vetëdijesimi të qytetarëve nga rreziku i drogës. S’ka EULEX’i ndonjë punë tjetër më të rëndësishme për të bërë, sesa të merret me fushata të tilla?
Andy Sparkes: EULEX’i është organizatë shumë e madhe dhe ka shumë aktivitete, në të cilat është e angazhuar. Jemi të përfshirë në fushatë, edhe pse fakt është se kjo nuk përmbledh të gjitha aktivitetet, me të cilat merret EULEX’i. Mendoj se kjo fushatë është e rëndësishme. Fatkeqësisht, gjeografikisht Kosova ndodhet në njërën nga udhëkryqet nëpër të cilën kalon heroina, duke pasur për synim tregjet perëndimore. Duke qenë në pozitë të tillë, një pjesë e asaj sasie ndalet këtu dhe përdoret nga njerëzit. Kemi parë se ekzistojnë faza fillestare të përdorimit dhe keqpërdorimit të substancave narkotike në Prishtinë, Mitrovicë apo vende të tjera. Nëse në këtë fazë kërkojmë nga njerëzit të na ndihmojmë të përballemi me problemin, atëherë mendojmë se është më mirë të parandalojmë sesa të përballemi me një situatë ku do ta quanim shtrirje të gjerë të problemit në formë epidemie. EULEX’i s’e ka krijuar gjendjen në Veri

Express: Nëse Prishtina është kryeqytet i një Kosove të tërë, pse për të njëjtën fushatë keni mbajtur dy konferenca, një këtu e një në Mitrovicë?
Andy Sparkes: EULEX’i ka një përqendrim të veçantë në rajonin Mitrovicës, ku nuk përfshihet vetëm pjesa përtej lumit Ibër, por edhe ajo jugore. Ky rajon është në fokus të aktiviteteve tona dhe këtë e ka thënë edhe shefi i EULEX’it...

Express: Kështu është në teori, por në praktikë është krejt ndryshe...
Ndy Sparkes: Më falni, por nuk e kuptova...
Express: ... se “ne nuk shikojmë veri a jug, se Kosova është një territor” e gjëra si këto, por në praktikë nuk është kështu. EULEX’i s’e ka shtrirë autoritetin atje, nuk ka rend, nuk ka ligj, s’funksionon si duhet as policia, as doganat, thuajse asgjë...
Andy Sparkes: Në këtë rast ju po përshkruani situatën si është në veri të Kosovës. Nuk është e njëjta gjë sikur të thoni se ne, EULEX’i, po e trajtojmë Veriun si diçka të ndarë. Ne nuk jemi duke e bërë këtë. E përsëris se fushata jonë ka të bëjë me rajonin e Mitrovicës, sepse veprat kriminale bëhen në të dy anët e Ibrit.

Intervistën e plotë mund ta lexoni në Express...

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›