E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembja e pallatit, gjykata jep pafajësi për 3 të pandehur

GJIROKASTËR- Gjykata shpall të pafajshëm 3 prej të akuzuarve për ngjarjen e shembjes së pallatit një vit më parë, ndërsa katër të tjerët dënohen në total me 12,6 vjet heqje lirie. Ndërkohë, organi i akuzës deklaron se vendimi është i padrejtë dhe se do ta ankimojnë në apel.


Vendimi


Në seancën e fundit në procesin gjyqësor ndaj shtatë të pandehurve, të akuzuar për shembjen e pallatit 5- katësh në nëntor të vitit të kaluar, ngjarje në të cilën humbën jetën 3 persona dhe mbetën të pastreha 14 familje, trupi gjykues i drejtuar nga kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë, Desard Avdulaj, vendosi të shpallë të pafajshëm 3 prej tyre, punonjës të bashkisë.


Për gjyqtarët, gjatë këtij procesi nuk u vërtetuan akuzat "shpërdorim i detyrës" për shefin e urbanistikës në bashki, Alfred Mamani, si dhe "shpërdorim i detyrës në bashkëpunim" për punonjësit e inspektoriatit të ndërtimit Leonard Mustafaraj e Petrit Maksuti.


Ndërkaq, Sotiraq Janora, president i firmës ndërtuese "Arti shpk" u deklarua fajtor për veprat penale "vrasje nga pakujdesia" e "shkatërrim i pronës nga pakujdesia" dhe u dënua në total me 6 vjet heqje lirie.


Inxhinieri i firmës ndërtuese "Arti shpk" u deklarua fajtor për veprën penale "shpërdorim i detyrës" dhe për të u vendos dënimi 2 vjet heqje lirie, heqja e së drejtës për të ushtruar licensë në fushën e ndërtimit për një periudhë 3-vjeçare, si dhe 500 mijë lekë gjobë.


Për sekretaren e KRRT-së në bashkinë e Gjirokastrës, Afërdita Papamihali, trupi gjykues vendosi deklarimin e saj fajtore për veprën penale "shpërdorim i detyrës"dhe dënimin me 2,6 vjet heqje lirie, 500 mijë lekë gjobë dhe heqjen e së drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 3- vjeçare.


Fajtor u shpall edhe ish- shefi i inspektoratit të ndërtimit në bashkinë e qytetit, Admir Shehaj, për veprën penale "shpërdorim i detyrës", duke u dënuar me 2 vjet heqje lirie, 500 mijë lekë gjobë dhe heqjen e së drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 3- vjeçare.


Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë vjen një ditë pas përvjetorit të parë të kësaj ngjarjeje të rëndë dhe në total katër personat e deklaruar fajtorë do të vuajnë heqjen e dënimit për 12 vjet e gjysmë.


Prokuroria

Por vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë në Gjirokastër për 7 të akuzuarit e shembjes së pallatit ka shkaktuar përplasje ndërmjet këtij institucioni dhe Prokurorisë, e cila është shprehur e pakënaqur me dënimet e dhëna. Në një deklaratë për shtyp vetëm pak orë pas vendimit, organi i akuzës e vlerësoi vendimin si të padrejtë dhe deklaroi se do ta ankimojë atë në Gjykatën e Apelit.


Ndryshimi i veprave penale të përcaktuara për të pandehurin kryesor dhe shpallja të pafajshëm e 3 prej të akuzuarve është cilësuar i padrejtë. "Ndonëse ngjarja e datës 09.09.2008 ka pasur tri viktima, i pandehuri kryesor është deklaruar fajtor vetëm një herë për veprën penale të "vrasjes nga pakujdesia", parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal.


Gjithashtu, përveç cilësimit ligjor për të pandehurin kryesor të ngjarjes, i padrejtë vendimi është cilësuar dhe përsa i përket fajësisë së zyrtarëve të bashkisë, të ngarkuar me mbikëqyrjen e punimeve të ndërtimit. Për këto arsye, vendimi i sotëm do të ankimohet në Gjykatën e Apelit Gjirokastër", thuhet në deklaratën për shtyp.


Në dt. 20 tetor, Prokuroria e Gjirokastrës kërkoi shpalljen fajtorë të 7 të akuzuarve për veprat penale të "vrasjes në rrethana të cilësuara", "shpërdorim i detyrës" dhe "shkatërrim i pronës me dashje" dhe dënimin në total me 38 vjet heqje lirie. Nga hetimet u arrit në përfundimin se pallati pesëkatësh i ngritur në një kodër në lagjen "11 Janari", u shemb për shkak të punimeve për ndërtimin e një godine të re, pranë tij.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›