Dominim global

Drejtori ekzekutiv i Manchester Cityt, Garry Cook, beson se klubi është në rrugë drejt dominimit global. City është njëri prej klubeve më të pasur në botë, pas blerjes nga miliarderi arab, Sheikh Mansour.
“Ky klub futbollistik, pa dyshim do të bëhet klubi më i mirë dhe më i madh në botë”, tha Cook, gjatë një forumi të tifozëve në New York. “Nuk do të bëjë arsyetime që them këtë, por besoj me të vërtetë me burimet dhe mundësitë që kemi”, shtoi ai.
Cook kishte bërë këto komente para se Federata angleze e Futbollit të kërkojë nga të dy klubet e Manchesterit të kenë kujdes më të madh para ndeshjes së dytë gjysmëfinale të Carling Cup, të mërkurën e ardhshme.
City kishte fituar takimin e parë 2-1. Në një ndeshje të tensionuar, ish-sulmuesi i Manchester Unitedit, Carlos Tevez, me mënyrën e kremtimit të golave zgjoi një reagim nga Gary Neville, ndërsa ylli argjentinas e quajti ish-bashkëlojtarin e tij “idiot” dhe “lëpirës”.
Prej kur Mansour mori kontrollin e klubit më 2008, City ka shpenzuar afro 200 milionë funta në futbollistë, derisa mundohen të thyejnë rezistencën nga Manchester United, Chelsea, Liverpool dhe Arsenal për katër pozitat e para në Premierligë.
Fuqia shpenzuese e Cityt ka tejkaluar komshinjtë e tyre, të cilët më herët gjatë javës kanë raportuar se borxhi i tyre është ngritur në më tepër se 700 milionë funta.
Verën e kaluar, fuqia shpenzuese nga Sheikh Mansour i siguroi Cityt ardhjen e Tevez, Gareth Barry, Emmanuel Adebayor dhe Joleon Lescott, ndërsa Manchester United vendosi të mos shpenzojë 80 milionë funtat e fituara nga shitja e Cristiano Ronaldos në Real Madrid. City po ashtu zemëroi Manchester Unitedin me shfaqjen e posterit
“Mirë se vjen në Manchester”, pas kompletimit të transferimit të Tevezit, pasi sulmuesi argjentinas kaloi dy sezone i huazuar në Old Trafford, por ishte blerë për 25 milionë funta. Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, e kishte quajtur Cityn “klub të vogël”, ndërsa më pas edhe “komshinj të zhurmshëm”, pas fitores së debatueshme 4-3 në derbi në shtator.
Pas kalimit në City, Tevez kishte shprehur vizionin e klubit dhe “ambiciet për tu bërë klubi më i madh në botë” që i kishin ndihmuar të vendosë për kalim në Eastlands.