Dominon Red Bull, Alonso djeg motor
Shiu nuk ra, makinat Red Bull dominuan. Ajo që shumë e prisnin, një Red Bull triumfues pa probleme besueshmërie, është verifikuar dje në Malajzi. Pas dështimit në Bahrein dhe Australi, makinat me licencë austriake kanë qenë protagoniste absolute të garës së tretë të Botërorit: fitore e një Sebastian Feteli i jashtëzakonshëm para Mark Veber. S’mund të bënte më shumë Niko Rosberg, i treti me Mercedes, por që la pas Kubikan, Sutil e Hemilton.Por i ka ecur keq Ferrarit: Felipe Masa e ka mbyllur i shtati, Fernando Alonso është tërhequr në xhiron e fundit për djegie të motorit, ndërsa po parakalonte Batënin. Një goditje e rëndë për “Cavallino”-n. Edhe pas eliminimit në sesionin e parë të provave të shtunën, ata mundën thjesht ta shtojnë disi numrin e pikëve që mund të sillnin në shtëpi. Një thyerje e motorit nuk është kurrë një sinjal i mirë. Por mbajnë akoma kreun e renditjes. Në start Fetel bën fenomenin. Me një shkëputje prej kampioni, gjermani ka parakaluar me një goditje të vetme Rosberg e Veber, duke u gjendur në krye pas kthesës së parë. Prapa, frikë për Barrikelon i mbetur në vend, i cili u prek thuajse nga të gjithë. Makinat Ferrari janë të kujdesshme dhe kalojnë me shumë përqendrim kthesën e parë dhe Masa kalon Alonson dhe disa rivalë të tjerë. “Kokëkuqet” janë gjendur në luftë me Batënin dhe në xhiron e nëntë anglezi ka parakaluar spanjollin, i mbetur goxha mbrapa shokut të skuadrës. Gara merr formë menjëherë: Red Bullët janë të parezistueshëm. Fetel e Veber xhiro pas xhiroje shkëputen nga Rosberg, Kubika, Sutil e Hulkenberg. Hemilton jep spektakël në parakalimin e Kobayashit dhe lufton në maksimum me rusin Petrov, i cili në fillim e parakalon në fund të kthesës, pastaj e detyron anglezin të bëjë një manovër zigzag për të evituar një kundërsulm të dytë. Për këtë manovër Hemilton merr një ndëshkim, por Petrov do të tërhiqet pas 33 xhirosh. Tërhiqet edhe Shumaker (probleme me rrotën e majtë) dhe Glok, plus De la Rosa. Më pas del nga skena edhe Liuci. Falë tërheqjeve dhe pit stopet e para, “Kokëkuqet” rikuperojnë disa pozicione: Masa është i teti dhe Alonso i nënti në xhiron e 17. Por ecuria është e mirë, sepse Red Bull janë 30 sekonda larg. Në xhiron 22 e 23 rifuten në bokse Kubika e Rosberg: të dy dalin para “Kokëkuqeve”, që ishin ende me gomat e nisjes. Moment delikat në xhiron e 24 me Fetel, që rifutet në pistë pikërisht para Hemiltonit dhe arrin të ruajë pozicionin. Nuk ecën mirë edhe Veber, i cili ka probleme me makinën (pistoleta e mekanikut nuk del dhe humbet sekonda të çmuara). Masa futet në bokse dhe del para Hulkenberg e Alguersuari. Në xhiron e 31 hyn Hemilton, që në daljen nga bokset e shikon veten pak para Batënit. Alonso lufton dëshpërimisht për të bërë xhiro të mira para se të futet në bokse në xhiron e 37. Spanjolli rikthehet në pozicionin e nëntë, pas Masës. Fundi karakterizohet nga sulmi i Ferrarit ndaj Batënit. Masa e parakalon në xhiron e 44-t, pastaj synon të arrijë Hemiltonin. Ndërsa Alonso lufton, por nuk mundet ta parakalojë Batënin dhe në një tentativë të fundit e lë në baltë motori. Dy Red Bullët fitojnë bindshëm dhe botërori është më i hapur se kurrë.
#