“Domosdoshmëri ndryshimi i ligjit zgjedhor”

Flet kreu i LDK, Nikollë Lesi
Sistemi zgjedhor duhet që të kthehet në sistem të pastër proporcional kombëtar, që të ketë një prag të hyrjes në parlament, siç ka qenë, 2.5 për qind. Ky është propozimi që vjen nga kreu i LDK-së, aktualisht edhe zëvendësministër i Kulturës, Nikollë Lesi, i cili thekson se "kjo, e zbut tensionin mes dy partive të mëdha, pasi futen shumë parti të vogla, të cilat, ndikojnë realisht në uljen e sherrit mes PD e PS".
Gjithashtu, për Lesin, një prej standardeve të cilat duhen plotësuar në zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme, është edhe që "votimi të jetë elektronik si dhe KQZ, duhet të ndryshojë si formulë, duke propozuar që Komisioni të ketë tre anëtarë të mazhorancës, tre të opozitës si dhe një të emërohet nga Presidenti i Republikës".
Më tej, aleati i koalicionit të maxhorancës qeverisëse, rithekson faktin se "në Kodin Zgjedhor, duhet të vihet një nen ku të thuhet që cilido komisioner apo numërues që vërtetohet se ka tjetërsuar votën, të ndëshkohet me 10 vjet burg".