E Diel, 1 Nëntor 2026

Shembet një ndërtesë pa leje në lagjen “Kombinat”

04-09-2011 / Gazeta 55

Vazhdon aksioni i bashkisë së Tiranës për shembjen e ndërtimeve të jashtëligjshme

Aksioni i Bashkisë së Tiranës për shembjen e ndërtimeve pa leje vijoi këtë fundjavë në zonën e Kombinatit.  
Fadroma e Policisë Bashkiake shembi dje një ndërtesë katërkatëshe banimi, e cila ishte ndërtuar tre muajt e fundit.
Drejtori i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha, ripërsëriti edhe njëherë se "aksioni do të vijojë deri në prishjen e ndërtimeve pa leje, të cilat nga evidentimi shkojnë mbi 300".
Pas konstatimit të kësaj ndërtese, Policia Bashkiake në fillim bllokoi punimet, bëri akt-kontrollin dhe mori masat për shembjen e ndërtesës si dhe kthimin e territorit në gjendjen e mëparshme.
Deri tani rezultatet e aksionit kundër ndërtimeve të paligjshme, që nisi në gusht, ka bërë të mundur shembjen e mbi 30 ndërtime pa leje.
Policia Bashkiake, ka bllokuar qindra godina të tilla dhe tentativa për të ndërtuar në mënyrë të paligjshme në territorin e Tiranës.
Gjatë apelit të tij drejtuar sërish qytetarëve të Tiranës, për të ndalur ndërtimet nëse ato i kanë pa leje, kreu i policisë bashkiake Florenc Hoxha tha dy ditë më parë, se të gjitha ndërtimet e konstatuara të cilat janë  pa lejen përkatëse, janë shkak i mos mbledhjes së KRT-së së Tiranës, për një kohë shumë të gjatë.
“Do të aplikojë sërish në bashkinë e Tiranës, pranë KRT-së e cila për shumë kohë nuk është mbledhur. Kjo ka qenë ana negative që këta banorë kanë ndërtuar pa leje. Ne jemi shprehur qartë që nuk do t’i lejojmë këto ndërtime”, paralajmëroi Hoxha.
Një ditë më parë, autoritetet e bashkisë deklaruan se janë evidentuar rreth 300 objekte pa leje, nga të cilat 30 janë shembur krejtësisht duke e kthyer territorin në gjendjen  e mëparshme.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›