E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Tiranës kontrollon tregjet, merr masa për cilësinë e produkteve

04-09-2011 / Gazeta 55

Ndëshkohen financiarisht dhe me bllokim aktiviteti subjektet që nuk respektonin kriteret higjieno-sanitare

Bashkia e Tiranës nisi dje një inspektim të gjerë në të gjithë tregjet e kryeqytetit, për të verifikuar kushtet higjieno-sanitare. Aksioni vjen pas një paralajmërimi të bërë javë më parë, sa i përket respektimit të afateve të vendosura, për të tregtuar në bazë të kushteve të përshtatshme. Strukturat përkatëse të Drejtorisë së Kontrollit mbi Territorin Urban vendosën dhjetëra gjoba dhe mbajtën akte-bllokimi, ndaj subjekteve që tregtojnë produkte kimike.
U vendosën mbi 10 gjoba dhe disa bllokime, ndaj subjekteve të tregtimit të bombolave të gazit. Njëkohësisht u morën masa shtrënguese dhe gjoba, edhe për subjektet e tregtimit të ushqimeve të cilat nuk respektonin kriteret higjieno-sanitare.
Drejtori i Kontrollit mbi Territorit Urban në Bashkinë e Tiranës, Geron Ibrahimi theksoi se strukturat përkatëse do të ndërhyjnë kudo ku shkelen rregullat e tregtimit dhe paralajmëroi për masa me gjobë.
“Sot, ne kemi nisur verifikimin e subjekteve tregtare pranë tregjeve, në të gjithë territorin e qytetit të Tiranës. Ky është aksioni i dytë në nivel të gjerë, pas një aksioni fillestar, të bërë ditë më parë për paralajmërimin e subjekteve, që të tregtojnë në kushte të përshtatshme higjieno-sanitare si dhe po verifikojmë tregtimin e shitjes së produkteve të rrezikshme, helmet apo pesticidet. Ne u bëjmë thirrje subjekteve, të respektojnë kushtet e duhura higjieno-sanitare, ndryshe do të përballen me masa penalizuese”, u shpreh për mediat Ibrahimi.
Në fazën e kontrollit të parë u vërejtën mbi 50 subjekte të cilat nuk respektonin kushtet e duhura dhe morën paralajmërim. Inspektorët e Kontrollit të Territorit Urban, të ndarë në 7 grupe kanë nisur verifikimin e tregjeve në Bashkinë e Tiranës, në bashkëpunim edhe me nivelin qendror, me strukturat e Drejtorisë së Zjarrfikësve dhe Policisë nga Zjarri. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›