E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Prioritet madhor përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarëve”

04-09-2011 / Gazeta 55

Intervista/ Flet Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi

Përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarëve do të jetë prioriteti kryesor i veprimtarisë së ministrisë së Drejtësisë. Kështu u shpreh në një intervistë, ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, pak kohë pas emërimit të tij në këtë post.
Kreu i ministrisë së Drejtësisë, Halimi flet për reformat që do të ndërmarrë dikasteri i tij, duke veçuar atë për rritjen e transparencës në sistemin gjyqësor dhe dixhitalizimin e këtij sistemi, reformën në shërbimin noterial që do të reduktojë kohën e transaksioneve të qytetarëve në shitjen dhe blerjen e pronave, si dhe reformën në sistemin penitenciar, me zbatimin e projektit për mbikëqyrjen elektronike të të dënuarve, që do të ulë koston për mbajtjen e tyre. 
Ministri Halimi flet gjithashtu edhe për qëndrimin e opozitës, duke i bërë asaj apel që të marrë pjesë në Parlament dhe të votojë ligjet që janë në të mirë të qytetarëve.   

Sistemi gjyqësor, vazhdon të perceptohet në publik si një sistem me problem në fushën e
korrupsionit, performancës së tij, zvarritjen e seancave gjyqësore, mosrespektimin e orareve të seancave etj. A ka ministria e Drejtësisë një projekt të qartë për reformimin e sistemit?
Ministria e Drejtësisë dhe qeveria ka miratuar pak javë më parë një strategji për sistemin e drejtësisë dhe të gjithë sektorin e saj, një dokument i rëndësishëm ky, që përfshin një numër të madh reformash për këtë sistem. Hapat e mëtejshëm për implementimin e strategjisë,  por edhe modulet e reja që do  të futen në strategjinë ndërsektoriale të drejtësisë të miratuar nga qeveria do të jetë prioriteti i kësaj ministrie. Përfundimi i procesit të dixhitalizimit të të gjithë sistemit gjyqësor, transparenca e plotë që nga hedhja e shortit në gjykata, kontrolli i shortit on-line nga inspektoriati i ministrisë së Drejtësisë dhe Inspektoriati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kontrolli on-line nga vetë qytetarët për mënyrën sesi hidhet shorti dhe si ndahen çështjet gjyqësore, apo cilat janë motivet për shtyrjen e seancave, do të jenë çështje prioritare. Një proces që do të jetë i shpejtë efikas dhe transparent dhe që do të ulë ndjeshëm korrupsionin dhe zbusë perceptimin negativ që publiku ka ndaj gjyqësorit. Promovimi dhe përkrahja e gjyqtarëve profesionistë dhe të ndershëm, do të jetë një tjetër çështje shumë thelbësore e ministrisë dhe e imja personale.

Çfarë parashikon tjetër strategjia për reformën në sistemin e drejtësisë?
Sigurisht reforma në sistemin e drejtësisë nuk përfshin vetëm sistemin gjyqësor, por edhe aktorët e tjerë të sistemit duke filluar nga avokatët, prokurorët,  gjyqtarët dhe sidomos me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, si reformimin e shërbimit përmbarimor për ta kaluar atë gjithnjë e më tepër drejt shërbimit privat,  për të vazhduar më tej me ekzekutimin e vendimeve penale, zbatimin e një projekti të ri atij të mbikëqyrjes elektronike të të dënuarve, që do të ulë koston financiare dhe barrën e madhe që ka buxheti dhe taksapaguesit për mbajtjen e të burgosurve. Reformë tjetër do të jetë ajo në sistemin e noterisë, në kuadër të nismës për mirëqeverisjen e publikut. Sot, për realizimin e një transaksioni në zyrën e pasurive dhe zyrën noteriale duhet të ndërmerren disa hapa. Kështu qytetari që do të realizojë shitjen e një prone duhet së pari të bëjë aplikimin në hipotekë, të marrë vërtetimin e pronësisë e për të vazhduar me noterin për kontratën etj, një kohë prej 30 ditësh, një  shpenzim kohe i jashtëzakonshëm, lodhje, përfshi dëshirën e tij për të përfituar një shërbim më të shpejtë kundrejt korrupsionit. Aktualisht, ministria ka ngritur një grup pune me ekspertët më të mirë, përfshi këtu noterë për përgatitjen e draftit përkatës, për të mundësuar reduktimin e kohës për realizimin e transaksioneve nga qytetarët. Me këtë nismë parashikojmë që shitësi dhe blerësi duhet të shkojnë te zyra noteriale, ku noteri nga ana e tij do të bëjë aplikimin on-line në Hipotekë dhe brenda pak minutash do të marrë on-line vërtetimin e pronësisë për të realizuar me pas kontratën. Kjo do të bëjë që blerësi do të largohet nga zyra noteriale bashkë me kontratën dhe tapinë e shtëpisë. Ky proces që do të përfundojë në zyrën e noterit brenda pak minutash do të shënojë edhe një largim total të kontaktit të qytetarit me Hipotekën. Qytetarët, nuk do të kenë më punë me hipotekën për transaksione të kësaj natyre. Kjo është një pune e dobishme për qytetarët. Të gjitha reformat që do të ndërmerren si ajo për rritjen e transparencës në gjyqësor, reforma në shërbimin noterial, si dhe mbikëqyrja elektronike e të dënuarve, janë reforma që përmirësojnë dhënien e shërbimit të drejtësisë ndaj qytetarëve dhe kanë në qendër qytetarin.

Mendoni se opozita do e japë konsensusin në Parlament për miratimin e projektligjeve për sistemin e drejtësisë?
Reforma në sistemin e drejtësisë do të ketë dy komponentë. Komponenti i parë do të përbëhet nga të gjitha ligjet që kërkojnë një shumicë të cilësuar për tu miratuar ne Parlament dhe komponenti i dyte nga  ligje që miratohen me shumicë të thjeshtë. Te tre nismat e mësipërme nuk janë në shportën e ligjeve qe miratohen me shumicë të cilësuar. Ne jemi të hapur për të bashkëpunuar me opozitën në Parlament për të bërë ligje të mira për të përmirësuar jetën e qytetarit. Deputetet e opozitës duhet të vijnë në parlament dhe të votojnë për ligjet pro ose kundër dhe të bëjnë më të mirën për qytetarët. Deputeti paguhet që të miratojë ligje në të mirë të jetës së qytetarëve.

A do të ndërmarrë ministria e Drejtësisë ndonjë nismë për kufizimin e imunitetit të gjyqtarëve, në kuadër të luftës kundër korrupsionit?
Ne si deputetë të maxhorancës, kishim detyrimin para atyre që na kanë votuar, duke miratuar ligjin, dhe duke hequr dorë nga imuniteti dhe duke i lënë dorë të lirë prokurorisë për të hetuar çdo deputet, por edhe çdo zyrtar. Pjesa tjetër i përket grupeve të interesit. Kjo është çështja e konferencës gjyqësore, e komunitetit të gjyqtarëve, të cilët mund të ndjekin ose jo këtë model. Pjesa tjetër është çështje e vullnetin të përbashkët politik edhe i forcës tjetër, pra i opozitës, e cila më parë duhet të tregojë shembullin e vet, duke  hequr imunitetin e saj. Për sa kohë opozita rri e veshur me koracën e imunitetit, sigurisht që nuk mund të japë leksione sesi duhet të luftohet korrupsioni.

Cili do të jetë prioriteti juaj për sistemin penitenciar?
Sistemi penitenciar ka filluar prej kohesh një reformë të thellë, e cila është një nga arritjet kryesore të qeverisë Berisha nga 2005 e në vijim. Ka vite që Shqipëria ka dalë nga harta e shteteve, të cilat nuk trajtojnë në mënyrë njerëzore të dënuarit. Burgjet po shndërrohen në modele si për sa i takon infrastrukturës, ashtu edhe për trajtimin e personave me liri të kufizuar. Strategjia e ministrisë së drejtësisë nuk do të fokusohet te ndërtimi pa fund i burgjeve të reja, pasi ka kosto të mëdha financiare. Prioritet i ministrisë do të jetë riintegrimi i personave me liri të kufizuar, sigurisht siguria publike duhet të përmbledhë elementet kryesor, që do të thotë se,  njerëzit që kanë kryer ose dyshohen për vepra të rënda penale duhet të rrinë në muret e trashë të burgjeve, të tjerët që nuk kanë kryer vepra të rënda, sigurisht nuk është e domosdoshme të qëndrojnë brenda tyre, duke u trajtuar me dënime alternative.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›