E Shtunë, 31 Tetor 2026

Domosdoshmëria e një etike parlamentare

Mark Marku

Javën e kaluar Byroja e Kuvendit të Shqipërisë ka marrë masa disiplinore për dy deputetët e PS-së, zotërinjtë Balla dhe Tahiri, për shkak të shkeljes së rregullores së punimeve të Parlamentit gjatë seancës së fundit. Pezullimi për dy javë nga Parlamenti për deputetin Balla dhe paralajmërimi për deputetin Tahiri është komentuar nga eksponentët e PS-së, por jo vetëm nga ata, si një përpjekje e shumicës për të kufizuar lirinë e deputetëve të pakicës në sallën e Kuvendit. Edhe pse ky incident nuk përbën ndonjë ngjarje të rëndësishme për jetën politike të vendit, mendoj se ai ilustron më së miri një keqkuptim themelor që ka shoqëruar jetën politike, parlamentare dhe mediatike të Shqipërisë postkomuniste dhe keqkuptimi është ky: liria e fjalës dhe e shprehjes, liria e veprimtarisë politike dhe parlamentare, janë kuptuar dhe ende kuptohen si një e drejtë e pakufizuar e individit, për të abuzuar me fjalën e lirë dhe me liritë e tjera demokratike në dëm të personave të tjerë, të shoqërisë, të institucioneve dhe të ligjit. Ky keqkuptim është në thelb të argumentimit të ndeshur ditët e fundit se e drejta e deputetit për të sharë është një nga të drejtat dhe një nga kushtet e lirisë parlamentare. Të vjen keq kur këtë tezë e gjen edhe në një shkrim të Henri çilit, një nga promovuesit e etikës profesionale në shtypin shqiptar, modeli shkrimor i të cilit përqendrohet tek idetë dhe argumentet dhe jo tek shpifjet apo sharjet në adresë të personave të tjerë.
Ka pra një keqkuptim mes lirisë së deputetëve për t’u shprehur lirshëm në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, pa pasur asnjë pasojë ligjore për përmbajtjen e fjalimeve të tyre, dhe lirisë së deputetëve për ta shfrytëzuar këtë hapësirë lirie si një mundësi për të fyer, shpifur apo për të dhunuar verbalisht të tjerët. Një keqkuptim i tillë nuk ekziston në aktet kushtetuese dhe ligjore, që rregullojnë veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë dhe të jetës parlamentare. Këto akte nga njëra anë i garantojnë gjithë lirinë e duhur deputetit për t’u shprehur pa pasur asnjë pasojë ligjore për një gjë të tillë, e nga ana tjetër, i ndalojnë atij që të fyejë, shajë, të pengojë punën e Kuvendit, apo të bëjë thirrje për dhunë nga tribuna parlamentare. Vendimi për masat ndaj kolegëve socialistë është marrë në respektim të nenit 62 dhe 63 të rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, rregullore e cila është miratuar në legjislaturat e mëparshme me konsensusin e të gjitha palëve. Respektimi i saj është një detyrim për deputetët dhe garanci për funksionimin normal të Parlamentit shqiptar.
Zbatimi i këtyre dy neneve që u venë fre fyerjeve, sharjeve dhe akteve vandale në sallën e Parlamentit bëhet edhe më i nevojshëm nga përvoja 20-vjeçare e Parlamentit shqiptar. Shpeshherë debatet parlamentare kanë degjeneruar në akte të dhunshme dhe madje ka pasur raste kur deputetët kanë sulmuar njëri-tjetrin fizikisht, apo edhe raste si ai i Azem Hajdarit, i qëlluar me plumba prej deputetit socialist Mazreku. Degjenerimi i debatit parlamentar, në sharje, fyerje dhe përleshje rrugaçësh mes deputetëve i shërben nxitjes së tensioneve në vend. çdo akt dhune në Parlament mund të shoqërohet me imitimin e tij nga individë në shtresa të caktuara elektorati, të cilët i përjetojnë këto akte në rrethana krejt të ndryshme nga ato të prodhuara në Parlament.
Edhe pse personalisht ndjej trishtim për sjelljen dhe ndëshkimin e dy kolegëve, mendoj se zbatimi i rregullores është një kusht i domosdoshëm për funksionimin normal të Parlamentit. Por përveç kësaj, mendoj se ndëshkimi i sharjeve, i fyerjeve dhe i akteve të dhunës si dhe izolimi i autorëve të tyre është mbrojtja e vetme lirisë së deputetëve dhe një parakusht për përmirësimin e debatit parlamentar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›