Policia: Incidenti me kreun e PS jo për motive politike
BALLSH/ MAJLINDA RAMA
Policia e Fierit mohoi dje motivet politike si shkak të incidentit me kreun e PS-së së Mallakastrës, duke dhënë në mënyrë të perifrazuar deponimet e Pajtim Ismailit dhe të Besnik Muratit në lidhje me këtë ngjarje. Pas kallëzimit të kryer nga kreu i PS-së, Pajtim Ismaili, i cili akuzonte Besnik Muratin se e kishte goditur me grusht, ky i fundit i është drejtuar policisë duke bërë edhe ai denoncimin e tij me të njëjtën akuzë. Ngjarja shkaktoi reagim dhe akuza edhe nga ana e Partisë Socialiste, sipas së cilës anëtarët e strukturave të forcës më të madhe politike opozitare, janë bërë objekt dhune. Por në fakt, debati ndërmjet Ismailit dhe Muratit, sipas policisë ka pasur një shkak tjetër, që nuk ka lidhje me protestën e zhvilluar në komunën Fratar. Incidenti ndodhi një ditë më pas në dyqanin në pronësi të kreut të PS-së së Mallakastrës. Sipas burimeve të policisë, bazuar në dëshminë e dy denoncuesve, por, edhe të dëshmitarëve të tjerë që janë gjendur në vendin e ngjarjes, Murati kishte shkuar në dyqanin e Ismailit në të cilin tregtoheshin pesticide bujqësore. Kreu i PS-së, në pozicionin e shitësit ka nisur të debatojë me Besnik Muratin pasi ky i fundit i ka tërhequr vëmendjen për çmimet dhe cilësinë e dobët të produkteve që ai tregtonte. Pas debateve fillimisht me fjalë, ngjarja precipitoi në fyerje e goditje me grushte. Policia e Fierit u shpreh dje se sherri i ndodhur mes dy personave në Mallakastër nuk është shoqëruar nga asnjë denoncim apo informacion të thjeshtë nga subjektet politike.
"Më 10 prill 2010 rreth orës 12:00 në Komisariatin e Policisë Ballsh janë paraqitur Pajtim Ismaili, 41 vjeç, lindur dhe banues në Ballsh, dhe Besnik Murataj, 48 vjeç, lindur dhe banues në Kutë, Mallakastër. Shoqërimi i tyre u krye pas një telefonate nga qytetarët në komisariatin e policisë pasi këta shtetas, kishin debatuar dhe qëlluar njëri- tjetrin me grushte për motive të dobëta. Të dy shtetasit paraqitën kallëzim penal të drejtpërdrejtë ndaj njëri-tjetrit" bëri të ditur policia, e cila tashmë ka nisur hetimet për këtë ngjarje. Zëdhënësja e policisë së Qarkut Fier,Valbona Meco, u shpreh se "sqarojmë të gjithë opinionin publik se pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier dhe Komisariatit të Policisë Mallakastër lidhur me rastin në fjalë nuk ka pasur asnjë informacion nga asnjë individ apo subjekt politik se ngjarja kishte motive politike, dhe se nga ana e strukturave të Policisë të Komisariatit Mallakastër pas marrjes së kallëzimeve përkatëse, janë kryer të gjitha veprimet e duhura konform akteve ligjore dhe nënligjore që normojnë punën e Policisë".
Kryetarja e komunës: Debati jo për protestën
BALLSH- Kryetarja e komunës së Fratarit në Mallakastër, Sabire Hoxha ka hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj saj për të penguar protestën e PS-së. Gjatë një konference për shtyp, Hoxha u prononcua në lidhje me deklaratën e bërë nga deputeti Pirro Lutaj, por edhe nga kreu i PS-së së Mallakastrës, Pajtim Ismaili. "Jam këtu për të hedhur poshtë të gjitha akuzat e bëra nga deputeti Pirro Lutaj dhe i dëmtuari Pajtim Ismaili. Nuk janë të vërteta akuzat se unë kam dhënë kontribut për të penguar protestën, madje nuk kam pasur asnjë lidhje me këtë. Unë nuk mund të mbaj mbi supe peshën se pse në këtë protestë nuk kishte pjesëmarrje. Pra nuk është faji i kryetares së komunës se në këtë tubim nuk kishte pjesëmarrje" u shpreh kryekomunarja Sabire Hoxha. Sipas saj, incidenti i ndodhur në Ballsh nuk ka aspak lidhje me protestën e zhvilluar në Fratar. "Nuk është faji im që atyre nuk u beson njeri dhe nuk dalin në protestë. Përsa i përket precedentit për Ismailin, nuk ka lidhje fare me protestën e zhvilluar në Fratar. Rrahja ka ndodhur për probleme personale mes të dyve, ndërsa më duhet të them që ka ndodhur një ditë pas protestës dhe jo atë ditë" deklaroi Hoxha. m.r