E Diel, 1 Nëntor 2026

Islami: Të nisë urgjent reforma për zgjedhjet lokale



Aristir Lumezi

Sekretari për çështjet Zgjedhore në PS, Kastriot Islami, kërkon ngritjen urgjente të komisionit ad hoc të reformës zgjedhore dhe pasqyrimin e të gjithë rekomandimeve të OSBE/ODHIR. Ai sugjeron mosdjegien e fletëve të votimit pa një vendim konsensual të KQZ-së, duke parashikuar njëkohësisht komplikim të situatës politike në zgjedhjet e ardhshme vendore, sidomos për Bashkinë e Tiranës. Zoti Islami, në më pak se një vit do të kemi zgjedhjet vendore, ndërkohë që ende vazhdon debati për kutitë. Mendoni se është e vonuar kryerja e reformës zgjedhore?
Një nga reformat më të rëndësishme që kërkon angazhim serioz është reforma zgjedhore, përmes së cilës do të pasqyroheshin të gjithë rekomandimet e paraqitura në raportin e fundit të OSBE/ODHIR. Ngritja e komisionit ad hoc të reformës zgjedhore është urgjente dhe duhet të bëhet sa më shpejt, duke pasur si synim përgatitjen e projektit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në një afat jo më vonë se fundi i këtij sesioni parlamentar. Vonesat në kryerjen e kësaj reforme mund të kenë ndikim në përgatitjet për zhvillimin normal të zgjedhjeve vendore. Konkretisht, duke qenë se data 8 gusht 2010 është afati i fundit kur Presidenti, sipas Kodit Zgjedhor dhe faktit që në 8 qershor 2007 është bërë shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve vendore, do të ishte e këshillueshme që jo më vonë se data 8 gusht 2010 të ketë mbaruar reforma zgjedhore. Pra, kjo e fundit duhet të mbarojë jo më vonë se mbyllja e këtij sesioni të Kuvendit. Në rast të kundërt, përgatitjet për zgjedhjet vendore do t’i largoheshin normalitetit.
Zoti Islami, sa është e mundur të realizohet votimi elektronik dhe çfarë duhet bërë për t’i dhënë përgjigje kësaj çështjeje në vendin tonë? A mund të realizohej ai në zgjedhjet e ardhshme vendore?
Kjo është një ide tanimë e debatuar midis ekspertëve dhe një ide interesante, që duhet studiuar në aspektin teknik. Për rrjedhojë, aplikimi i teknologjisë së votimit elektronik do të kërkonte një studim paraprak për t’i dhënë përgjigje të plotë e përfundimtare kësaj pyetjeje. Duhet pasur parasysh se kjo teknologji është aplikuar vetëm në pak vende demokratike dhe në variante të ndryshme. Po ashtu edhe në vende të zhvilluara si Franca, Belgjika, Gjermania apo Holanda, nuk kanë munguar edhe debatet e shumta; madje në Holandë, pas shumë vitesh të votimit elektronik, i janë rikthyer atij tradicional, kurse në Gjermani, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur votimin elektronik antikushtetues, ndërkohë që Estonia konsiderohet një vend i suksesshëm përsa i përket votimit elektronik përmes internetit, të aplikuar për zgjedhjet parlamentare. Pra, thënë shkurt, duhet bërë një studim integral për këtë çështje, që debati të mos mbetet thjesht politiko-mediatik. Apriori nuk ka arsye për ta kundërshtuar këtë ide, por as për ta imponuar atë. Do të sugjeroja me këtë rast të studioheshin, krahas kushteve që ekzistojnë apo që duhen plotësuar për të realizuar votimin elektronik, edhe të evidentoheshin tipat e ndryshme të votimit elektronik, me avantazhet dhe disavantazhet përkatës, qoftë; i) në variantin e “kutisë elektronikë të votimit”, ku realizohet elektronikisht identifikimi i votuesit, votimi, numërimi dhe përpunimi i rezultatit, përfshi edhe opsionin e një “bilete”, që shërben në rast nevoje për auditin e votimit elektronik ii) qoftë vetëm në opsionin e “leximit elektronik” të fletëve të votimit, plus numërimin dhe nxjerrjen e rezultateve dhe iii) qoftë opsionin e “votimit elektronik përmes internetit”. Nëse do të kishte vullnet politik dhe studimi paraprak do të lejonte, në zgjedhjet vendore të vitit 2011 mundet të aplikohej një projekt pilot në disa komuna/bashki të vogla apo mesatare.
Dhe a do të zgjidhte kjo metodë problemin e zgjedhjeve në Shqipëri, kontestimet, akuzat për mungesë transparence etj.?
Ritheksoj se duhet bërë studimi në kushtet e vendit tonë, duke përfshirë natyrisht zgjidhjen e shqetësimeve që vendi ynë ka me zgjedhjet. Futja e kësaj teknologjie te ne mund të sillte shumë avantazhe (natyrisht duhet parë më konkretisht opsioni i zgjedhur), sepse do të zëvendësonte “komisionerët”, pra njeriun që në një sistem bipartizan administrimi ka rezultuar problematik. Kështu mund të zgjidheshin përfundimisht shumë nga llojet e manipulimeve që kryhen gjatë zgjedhjeve të lidhura me identitetin, listat e zgjedhësve, numërimin (varet nga lloji i makinës elektronike për votim/numërim) e tjerë e tjerë. Por asnjëherë nuk duhet harruar se në themel të zgjedhjeve të lira e të ndershme, qëndron vullneti politik për t’i zhvilluar ato në përputhje me standardet demokratike. Dhe asnjëherë roli i njeriut nuk mund të shmanget plotësisht dhe futja e teknologjive moderne, si edhe votimi elektronik, nëse mungon vullneti politik për zgjedhje të lira e të ndershme, veçse çon në sofistikimin e teknikave të manipulimit, duke i bërë ato më të vështira për t’u dalluar apo për t’u kapur. Shkurtas do të thosha që futja e këtyre teknologjive zvogëlon ndjeshëm manipulimet dhe për rrjedhojë kontestimet, por të të mendohet se arrihet mrekullia ekstreme, nëse vullneti politik nuk ekziston dhe të gjithë dyshimet eliminohen. Duhet pasur parasysh që edhe në vendet ku aplikohet votimi elektronik, ka shumë debate për integritetin e këtij sistemi dhe parashikohet “auditi i numërimit” për të verifikuar përputhjen e “votimit/numërimit elektronik” me realitetin që “magazinohet klasikisht”.
T’i rikthehemi çështjes aktuale të “hapjes së kutive të votimit”. A do të ishte e këshillueshme djegia e fletëve të votimit sipas dispozitave të Kodit Zgjedhor, ndërkohë që hapja e kutive duket e pamundur, në mënyrë që kjo çështje të mbyllej?
Tanimë që çështja e hapjes së kutive nuk ka marrë një përgjigje përfundimtare dhe përbën “thelbin” e ngërçit politik, do të ishte jo e përshtatshme të kryhej djegia e fletëve të votimit. Ndonëse dispozitat e kodit zgjedhor e parashikojnë, kjo mund të kryhej vetëm nëse të gjithë anëtarët e KQZ-së do të pranonin ta kryenin këtë detyrim përmes një vendimi konsensual. Me një votim “politik” të njëanshëm të anëtarëve të KQZ-së për djegien e fletëve të votimit do të: i) implikohej e goditej edhe KQZ-ja si penguese e transparencës së zgjedhjeve dhe ii) do të shfaqej një arsye tjetër dyshimi për manipulimin e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Ky debat mund të ndikonte në shtyrjen dhe frenimin e reformës zgjedhore dhe me shumë gjasa do të vendosej në qendër të fushatës së ardhshme zgjedhore dhe të kontestimeve eventuale për zgjedhjet vendore.
Ju keni propozuar si mundësi të bërjes transparente të zgjedhjeve hetimin e materialeve zgjedhore; si do të mund të realizohej një gjë e tillë?
Në një vend ku mbretëron shteti ligjor, kjo do të ishte rrjedhojë e aplikimit të dispozitave të kodit zgjedhor, nëse një gjë e tillë do të kërkohej nga njëra prej palëve. Por në kontekstin e ngërçit aktual politik dhe të përpjekjeve për gjetjen e një zgjidhjeje, kjo gjë do të mund të bëhej vetëm nëse ka konsensus midis palëve, por gjithnjë për të zbatuar dispozitat e kodit zgjedhor. Ky konsensus do të përfshinte dy përbërës 1) hapjen e kutive të votimit nga KQZ dhe trajtimin e materialeve zgjedhore sipas dispozitave të kodit zgjedhor përmes një vendimi konsensual të të gjithë anëtarëve të KQZ dhe 2) pranimin si objekt të hetimit të zgjedhjeve vetëm hetimin e materialeve zgjedhore.
Ndonëse nuk ka afate në kodin zgjedhor për trajtimin e materialeve zgjedhore (djegien e fletëve të votimit), a e ka KQZ-ja urgjente respektimin e detyrimit për djegien e fletëve të votimit, ndërkohë që në prag të zgjedhjeve vendore kjo do të përbënte edhe një nevojë për ripërdorimin e materialeve zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme?
Kjo që thoni ju është e vërtetë, por ritheksoj se në kuadër të ngërçit politik aktual, që me shumë gjasa do të projektojë një tensionim deri edhe eventualisht komplikim/bllokim të situatës para, gjatë dhe pas zgjedhjeve vendore, sidomos për Bashkinë e Tiranës, sugjeroj që të mos digjen fletët e votimit, nëse nuk ka një vendim konsensual nga KQZ-ja. Djegia do të ishte “benzinë shtesë” në “zjarrin e ngërçit aktual” dhe sidomos “në betejën e ashpër” për zgjedhjet e ardhshme në Tiranë. Do të ishte më e vogël “sakrifica” financiare” për riblerjen e kutive të votimit dhe materialeve të tjera të ripërdorshme, që ndodhen aktualisht në kutitë e votimit sesa zhurma, komplikimi dhe kriza pasuese, që do të gjenerohej nga djegia e fletëve të votimit.
Cila mund të ishte një zgjidhje më e shpejtë për ngërçin politik?
Mendoj se kjo çështje mund të merrte një përgjigje të shpejtë e përfundimtare, nëse do të angazhohej Komisioni i Venecias. Praktika e marrjes së opinionit nga Komisioni i Venecias ekziston edhe kur nuk ka vullnet të qartë politik nga njëra prej palëve. Gjykoj se kjo është një rrugë që duhet nxitur dhe asistuar nga faktori ndërkombëtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›