E Diel, 1 Nëntor 2026

Varri masiv i Dajtit, “montohen” 10 skelete



TIRANE – Mjekësia Ligjore pohoi dje se 10 prej 19 skeleteve të zbuluar në zonën e Linzës rreth dy muaj më parë tashmë janë plotësuar dhe janë gati për të kaluar në fazën e dytë të identifikimit. Kjo fazë ka të bëjë me verifikimin e përmasave fizike të skeleteve, shenjave të plumbave si dhe moshës dhe gjatësisë së tyre. Burime nga stafi mjekësor që po merret me identifikimin e skeleteve të zbuluara në një zonë në Linzë e përdorur për të kryer ekzekutimet gjatë kohës së komunizmit, pohojnë se ndarja e eshtrave ka qenë një punë e vështirë për vetë faktin se skeletet ishin zhvarrosur dhe rivarrosur disa herë nga familjarë të personave të pushkatuar gjatë kohës së regjimit komunist. Po kështu mjekët pohuan se tashmë thuajse ka përfunduar faza e selektimit të eshtrave edhe për skeletet e tjerë dhe do të priten familjarët e personave që kanë humbur të afërmit e tyre për të verifikuar dëshmitë e tyre me të dhënat fizike të skeleteve. Sipas mjekëve ndoshta do të jetë në një kohë të mëvonshme kryerja e analizave të ADN-së, e cila do t’i jap fund procedurave të verifikimit të eshtrave që qëndrojnë në murgun e Mjekësisë Ligjore, prej dy muajsh që kur u zbuluan në zonën e Linzës, në verilindje të kryeqytetit, pranë malit të Dajtit. Zhvarrimi i skeleteve u bë pasi një mjek që kërkonte aty eshtrat e babait të pushkatuar në vitet ’70 gjeti rreth 20 varre, që i përkisnin të njëjtës periudhë dhe se të gjithë ishin të pushkatuar të kohës së komunizmit. Pas kësaj u bë zhvarrimi i të gjithë skeleteve dhe më pas u dërguan në institucionin e Mjekësisë Ligjore për të bërë identifikimin e tyre. Aktualisht në këtë institucion po punojnë dy specialistë nga katër që u caktuan në momentin që u zbuluan kufomat. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›