E Diel, 1 Nëntor 2026

Shmit: Shqipëria ka zbardhur pak nga e kaluara



Historiani austriak, autori i një prej librave mbi Skënderbeun, Oliver Shmit, shprehet se Shqipëria ka zbardhur shumë pak nga e kaluara komuniste dhe e rendit vendin tonë së bashku me Bjellorusinë. Në një intervistë për “Dojçevelen”, historiani shprehet se shkaku për mosreflektimin mbi regjimin historik është vazhdimësia e elitës së vogël e të mbyllur në Shqipëri, e cila ka në pjesën e saj më të madhe ka lidhje familjare me elitën e vjetër komuniste. Ai shprehet se numri i intelektualëve, që e trajtojnë çështjen në mënyrë kritike është shumë i vogël dhe ata kanë vështirësi, se vazhdojnë të luftohen shumë. “Por është interesant se megjithëse emocionet e atëhershme qenë shumë të forta, për këtë kohë nuk është reflektuar intelektualisht. Shqipëria është i vetmi vend i Evropës Lindore, ndoshta me përjashtim të Bjellorusisë, që e ka zbardhur më së paku të kaluarën e saj”, tha Shmit. Sipas tij, “tragjikja në Shqipëri është sigurisht që si shkenca, ashtu edhe shumë elementë qendrorë të identitetit kombëtar, u konceptuan dhe u përhapën në komunizëm. Për këtë arsye, ato janë në këtë moment pa alternativë, ndaj edhe sot e kësaj dite vazhdon të ketë efekt i njëjti nacionalizëm vetizolues”. Shmit shprehet se Shqipëria, si vend i vogël, e ka pasur më të vështirë të transformohet dhe të ndryshojë. “Shqipëria është në fakt Tirana dhe elita aty takohet në të njëjtat kafe dhe në të njëjtët sheshe. Sigurisht që kjo është një disavantazh për Shqipërinë, që është një vend i vogël, i centralizuar. Sikur të kishte disa qytete të mëdha, mundësitë për të krijuar këndvështrime të ndryshme do të ishin më të mëdha”, shprehet historiani. I pyetur se pse komunizmi në Shqipëri ishte më i egër së në vendet e tjera, Shmit mendon se një pjesë të përgjegjësisë e ka pasur lidershipi komunist, me Enver Hoxhën në krye.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›