E Shtunë, 31 Tetor 2026

Domosdoshmëria e njohjes së minoriteteve

Nga Besnik Manushi

Shqipëria ekziston në rajonin me difuzionin dhe shpërndarjen më të pabarabartë të etnive në Evropë, në Ballkan. Shpërndarja demografike e etnive të ndryshme është një problem që ka shqetësuar me kohë bashkekzistencën dhe ndarjen e saj me të tjerë, duke sjellë ndarje reale të rajonit dhe, sikurse kjo, ka qenë e vështirë për të gjithë. Ballkanasit e kanë zgjidhur secili në hesap dhe interes të vet këtë çështje. Kështu që kanë ndarë bashkë disa luftëra ballkanike nga ballkoni i këtij rajoni, malet e tij janë bërë bashkëvrojtues sikurse dhe bashkëvuajtës të dy luftërave botërore dhe luftërave postkomuniste të viteve ‘90. E gjithë kjo situatë të shqetëson sadopak, sidomos kur rajonin e etiketojnë si një fuçi baruti dhe pyetja më e thjeshtë, për të qenë i sinqertë me të përditshmen tënde, do ishte: Si do ndjehej çdokush sikur t’i thoshin: “Miku im, ti jeton mbi një fuçi baruti”? Më e pakta, i trazuar. Ka pasur raste, kur baruti ka hedhur njerëz sa në Itali, sa në Turqi. Është e trishtueshme, kur ty të etiketojnë herë turk, herë grek dhe herë tjetër nuk i dihet çfarë. Ky është problemi i një rajoni kaq kaukaz sa i joni. E vetmja dëshirë e një ballkanasi do ishte të dinte se çfarë është në realitet tjetri dhe se çfarë përfaqëson në vetvete. Ai mund të ishte i mirë, i dashur, hajdut apo vrasës, por kujt grupi do i takonte, nëse do të ishte një serb, një shqiptar, një grek, një rumun apo diçka tjetër.

Po t’i kthehemi vendit tonë dhe ta linim vakante karrigen në debatin e mësipërm, do konstatonim se shqiptarët e konsiderojnë veten goxha të pastër etnikisht duke pasur një përqindje të vogël grekësh në Toskëri, megjithëse nuk ua kalojnë dot grekëve, të cilët ndjehen në pozita më të forta me 99 % të popullsisë grekë të pastër të ardhur nga Turqia. Nëse ne do t’i linim minoritetet që kemi të flenë nën petkun e shqiptarisë, nuk është se do i bënim shërbim të madh shtetit-komb, të cilit i jemi drejtuar si një kryevepër shqiptare. Arritëm vallë t’i bashkonim shqiptarët, grekët dhe vllehtë nën të njëjtin zog? Pa mëdyshje ne kemi një minoritet shumë të madh arumunësh, të cilët e deklarojnë veten si shqiptarë, por nuk e ndjejnë të tillë. Kjo është e qartë, kur sheh se këta njerëz jo vetëm nuk janë asimiluar për t’i vënë pikën mbi i kësaj historie, por në të kundërt e kanë shfaqur veten fort si arumunë, sepse sot kjo është gjëja më e vlefshme për ta. Ata janë të ndarë në dy shoqata të mëdha, të cilat përkatësisht kanë lidhje shumë të forta njëra me Greqinë dhe tjetra me Rumaninë dhe për këtë përfaqësojnë një fraksionim të ndjeshëm të minoritetit me të cilin identifikohen. Dhe kjo ishte më evidente para se Rumania të hynte në Bashkimin Evropian.

Konservatorizmi i qeverisë shqiptare po shfrytëzohet shumë mirë nga fqinjët grekë, të cilët e kanë konsideruar këtë minoritet të madh si vorioepiriotët, të cilët, sipas tyre, nuk janë konsideruar me dashje nga qeveria shqiptare si grekë dhe kur grekët ulërijnë lart e poshtë se në Shqipëri janë 300000 grekë nga 50000-60000 që pranojmë ne, nënqeshja jonë nuk ka ndonjë forcë realiteti, kur pjesa më e madhe e këtyre njerëzve janë pajisur me të njëjtat letra që janë pajisur edhe minoritarët grekë në Greqi, ndryshe nga shqiptarët, të cilët pajisen me letra thjesht emigranti e jo “homogjenis” dhe, kur të shkohet t’u thuhet të gjithëve se këta njerëz janë një minoritet kulturor, këta njerëz do e kenë më të lehtë të thonë se janë grekë sesa minoritet kulturor vllah dhe më e pamundur akoma shqiptarë. Kjo është një arsye shumë e fortë që ne shqiptarët t’i njohim ata brenda kufijve tanë zyrtarisht si minoritet vllah, duke i paraprirë çdo debati në të ardhmen në disfavor tonin dhe të mos mendojmë se skenarë të tillë kanë nevojë për naivitet në Ballkan. Madje unë do ta quaja këtë një shërbim të lartë ndaj vendit tonë dhe ndaj të drejtave njerëzore.

Një minoritet në vetvete ka nevojë të njihet zyrtarisht, në mënyrë që ai të zhvillojë kulturën e tij dhe mos ta humbasë atë, pasi kulturat e popujve të ndryshëm janë pasuri e trashëgimisë botërore. Një minoritet në vetvete ka nevojë për përkujdesje më shumë se bashkëkombësit e tu. Ata kanë nevojë për shkolla që mund të ndiqen nga pak njerëz dhe që kërkojnë shpenzime pedagogjike më të mëdha sesa shkollat e etnisë më të madhe. Nëse kjo do të ishte një logjikë e gabuar, atëherë me mijëra shqiptarë të Kalabrisë, që shkollohen në gjuhën e tyre, do e kishin humbur gjuhën e tyre, ashtu siç po ndodh me arvanitasit e Greqisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›