Berisha takon ambasadorët e BE,shtyhet votimi i Kodit
Aristir Lumezi
Ambasadorët e BE-së duket se po marrin në dorë situatën politike në lidhje me mosmarrëveshjet brenda të majtës për Kodin e ri Zgjedhor. Dy ditë më parë, në zyrën e Kryeministrit Berisha kanë qenë me kërkesën e tyre ambasadorja franceze Znj. Bourolleau dhe ambasadori i OSBE-së, Bosch kanë biseduar rreth problematikës, që është krijuar pas kthimit të Kodit në Kuvend dhe gjetjes së zgjidhjeve gjithëpërfshirëse për të. Ndërsa dje, Kryeministri Berisha, në orën 13:30 ka qenë i ftuar në një drekë në rezidencën e ambasadores franceze në Tiranë, ku ishin gjithashtu dhe ambasadorët e vendeve të BE-së. Kanë qenë këto takime me diplomatët e rëndësishëm evropianë në Tiranë, që kanë çuar në kërkesën e Berishës për gjetjen e një rezultati pozitiv në bisedimet Rama-Meta për Kodin. Berisha tha se do mirëpresë bisedimet mes tyre si zgjidhja më e mirë për të votuar kodin e kritikuar në dy nene nga Presidenti i Republikës. "Dialogu mes Ramës e Metës do të ishte zgjidhja më e mirë dhe unë do të pranoja çdo rezultat", tha dje Berisha në një konferencë shtypi të zhvilluar pas mbledhjes së qeverisë. Kryeministri Berisha hodhi poshtë pretendimet, se kthimi për shqyrtim në Parlament i Kodit të ri Zgjedhor dëmton procesin zgjedhor. Berisha deklaroi dje se "me kthimin për shqyrtim në parlament të Kodit të ri Zgjedhor, procesi elektoral nuk po dëmtohet por po merr garanci shtesë". I pyetur nëse cenon të drejtën e votës së shqiptarëve shtyrja e miratimit të Kodit Zgjedhor, Kryeministri Berisha garantoi para së gjithash për "përkushtimin e plotë dhe total të qeverisë për votën e lirë". "Maxhoranca nuk ka pasur asnjë lidhje me grevën e urisë së dhjetë deputetëve të majtë. Nëse komisionari ishte i Gjinushit, i Ilir Metës apo i zotit Milo, kjo nuk kishte ndonjë dallim të madh për mua, përkundrazi mbajta përbaltjen e grevës së urisë, pasi ata ishin deputetë në grevë urie dhe këtu nuk lëndohej krahu i shkaktarëve, por lëndohej qeveria", tha Kryeministri Berisha. Duke uruar që të ketë dialog dhe të arrihet zgjidhja më e mirë, Kryeministri Berisha vuri në dukje rolin e tij neutral në gjithë diskutimet, që do të bëhen në këtë drejtim.
Pak ditë më parë, kreu i LSI-së Ilir Meta deklaroi gjatë një takimi me të rinjtë matjanë, se në kontaktet me diplomatët e huaj në Tiranë dhe në Bruksel, është informuar se Kryeministri Berisha dhe ministri i Jashtëm Basha nuk kanë shprehur asnjë kundërshti ndaj përfaqësimit të LSI-së në komisionet zgjedhore. Sipas ambasadorëve, Berisha dhe Basha fajësonin Edi Ramën si përgjegjës për refuzimin e LSI-së nga administrimi i zgjedhjeve. Por kanë qenë dhe deputetë të parlamentit evropian dhe të parlamenteve të tjera, që kanë ndjekur nga afër grevën e 10 deputetëve të parlamentit shqiptar dhe kërkesat e tyre, të cilat i cilësuan realiste për një vend demokratik. Në këtë presion politik dhe diplomatik, mbetet që kreu socialist Edi Rama të bëjë një hap prapa në deklaratën e tij të pak ditëve më parë. Ai u shpreh i gatshëm të takohet dhe bisedojë me Ilir Metën, por e konsideroi Kodin zgjedhor një çështje të mbyllur për të. Pas takimit me Kryeministrin Berisha, pritet që diplomatët e rëndësishëm evropianë në Tiranë të takojnë kryetarin socialist, Edi Rama për të gjetur hapësirat e nevojshme për një gjithpërfshirje në procesin e administrimit të zgjedhjeve në Shqipëri.
Presidenti ktheu Kodin
Presidenti i Republikës Bamir Topi, ktheu për rishqyrtim në parlament Kodin Zgjedhor. Arsyeja e kthimit të këtij dokumenti për rishqyrtim është teknike dhe ka të bëjë me mospërputhjen e afatit që parashikohet në këtë Kod Zgjedhor për dekretimin e zgjedhjeve nga Presidenti dhe afatit që parashikohet në Kushtetutë. Kodi ishte miratuar pak kohë më parë me konsensusin e dy partive kryesore në vend të shprehur me 112 vota.
Zogaj: LSI, forca e tretë
Deputeti demokrat, Preç Zogaj, kërkon që në diskutimin për Kodin Zgjedhor t'i jepej vendi që i takon LSI-së. "Do të ishte mirë që t'i krijohej një hapësirë LSI-së. Këtu bëhet fjalë për rregulla loje, bëhet fjalë për të garantuar dhe për të paraqitur të gjitha palët, që marrin pjesë në zgjedhje. Kemi të bëjmë me një parti që renditet e treta deri tani. Askush nuk mund të thotë të kundërtën, por kjo kërkon vullnet", tha Zogaj.
Meta, letër Ramës
Kreu i LSI-së Ilir Meta, i dërgoi një letër kryetarit socialist, përmes së cilës i kërkon atij të bisedojnë për çështjet e Kodit Zgjedhor dhe për garantimin e standardeve në zgjedhjet e ardhshme. Por Rama nga një studio televizive e refuzoi kërkesën e Metës për një takim për kodin, pasi e konsideroi atë një çështje të mbyllur, por la të hapur diskutimin për çështje, që kanë të bëjnë me aplikimin e Kodit Zgjedhor në interes të së majtës.