E Diel, 1 Nëntor 2026

Braktisja e librit

Nga Baton Haxhiu

Nuk e di a i kujtohet dikujt një artikull, më shumë klithje sesa shkrim, i Arben Idrizit në “Express” (gazetë që botohet në Kosovë), me titull “Lexoni o të mjerë, ose mos lexoni o gjeni”. Kështu duhet të jetë titulluar disi.

Nuk më kujtohen paragrafët e tij, por ka qenë një shfryrje e mbështjellë me shumë ironi për të gjithë ata që për vite kishin harruar se cili ka qenë libri i fundit që kishin lexuar në pyetjen që kishin bërë anketuesit e grupit hulumtues të “Gani Bobit”.

Një miku im tjetër, kur i thashë se për çka po shkruaja, m’u përgjigj shkurt: “Shkruaj o Baton, shkruaj, se nuk e rruan njeri”. Edhe ka të drejtë, por bindja ime është se një shenjë duhet lënë si kujtim.

Ne kemi përshkrime të hatashme të situatave të ndryshme në Kosovë që të zbavitin vetëm për faktin se si i interpretojnë gjërat lehtë të kuptueshme.

Nuk di a ju ka ndodhur që të jeni mysafirë dhe të përjetoni një heshtje totale gjatë kohës kur janë lajmet politike. Dhe pastaj, në fund, vjen ajo pyetja e famshme: “Allahile, çka tha?”, ose edhe më keq interpretimi është krejtësisht i gabuar nga ajo që është lexuar dhe thënë në lajme.

Edhe një shembull i këtyre ditëve e fuqizon edhe më shumë idenë e mosleximit. Nuk e di a ju ka rënë të shikoni një pesëmbëdhjetëminutësh në programin e mëngjesit të RTK. Një kafe në një familje ku njëri prej tyre është figurë publike. Në të gjitha rastet nuk përtojnë të tregojnë kuzhinat, pastërtinë, kanapetë apo edhe tepihet që janë pjesë e shtëpisë. Kur pyeten se çka kanë lexuar kohëve të fundit – aty del pjesa e tregimit për falsitetin më të madh të tyre. Padijen. Në një emision të fundit të këtij programi mëngjesor, gazetarja dhe mikpritësi shfletuan disa libra që ishin në sirtarë. Kjo pyetje ekziston gjithnjë për të ftuarin e radhës. Ai që është pak i vëmendshëm, e sheh që librat, zakonisht, i kanë kopertinat e pastra, dhe kur shfletoheshin faqet, të gjitha ishin të bardha dhe të paprekura. Nuk kishte shenjë leximi aty. Ose janë dhurata me përkushtim, për shkakun se ata kanë qëndruar rastësisht në një promovim miqësie ose e kanë dhuratë të rastësishme. Por të lexuar s’e kanë kurrë.

Të kthehem të Arbeni.

Arbeni në shkrimin e tij para një viti nuk kishte shtruar asnjë pyetje pse në Kosovë kishim një gjendje të tillë me leximin, por kishte vendosur kriteret e forta përçmuese për të gjithë ata që iu frikoheshin shkronjave dhe marrjes së dijes përmes librit.

Dy javë më herët një anketë e re ishte bërë në Kosovë dhe ishte tmerrues fakti që gjendja në Kosovë vazhdonte të ishte alarmante. 80% e popullsisë së Kosovës nuk lexojnë asnjëherë libër.

ǒe solli një gjendje të tillë?

Kur punët nuk shkojnë mirë, është njerëzorë të shtrosh një pyetje të tillë. Zakonisht është më e lehtë të fajësosh dikë tjetër. Për shumë kohë fajin e kishin serbët, të cilët fajësoheshin për shkatërrimin e sistemit arsimor duke u bërë shkaktarët e amullisë dhe dobësimit intelektual të shqiptarëve të Kosovës. Për shumë kohë ata shënjoheshin për popullin që shkatërroi gjithçka shqiptare (inkuizitor) dhe vuri në bisht zhvillimin kulturor, shkencor dhe ekonomik.

Por, derisa një kohë ishin të kuptueshme heqjet dorë nga leximi dhe shkenca - kur mungonte liria - në 9 vitet e pasluftës gjendja vazhdon të jetë alarmuese, e frikshme dhe ka pak shanse për ngjallje të shpresave të reja që të ndryshohet ky mentalitet i Kosovës që nuk lexon.

Që të mund të kuptohet një dukuri e tillë ndoshta është mirë të sqarohet me fakte kjo gjendje dhe ky ritëm i frikës nga shkronjat.

Frika nga shkronjat është bërë pjesë e jetës së njeriut kosovar. Mirëpritja që gjeti televizioni dhe refuzimi i shkronjave në gjithë Kosovën nuk ndodh në kohën e dhimbjeve dhe të mungesës së lirisë. Është provë se ne jetojmë duke shikuar foto dhe imazhe dhe jo duke parë se ç’përmbajtje kanë ato.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›