ARMO, një histori e turpshme plaçkitjeje shtetërore
Dhjetë ditë më parë zëvendësministri i Ekonomisë, Neritan Alibali, dhe një tregtar i përfolur nafte, Rezart Taçi, u shfaqën para shqiptarëve jo dhe aq krenarë, por formalisht të sigurt, duke deklaruar se pagesa për blerjen e kompanisë së ARMO-s u krye. Njeriu që ishte në krah të zyrtarit të lartë nuk është as amerikan, as zviceran dhe as qipriot, siç e shiti kryeministri, por thjesht tregtar nafte e i akuzuar nga Sali Berisha si kontrabandist vite më parë. Skandali i parë është që shqiptarët u gënjyen, duke iu thënë që ARMO iu shit një investitori strategjik, kur në fakt iu shit një tregtari me strategji të përfolur për plaçkitjen e saj. Nëse do të kemi parasysh që kushti për të qenë investitor strategjik ishte kryesori në performancën e blerësit të mundshëm, këtu jemi para skandalit të parë të madh të qeverisë shqiptare, e cila përpiqet t’i veshë një tregtari të përfolur nafte kostum amerikan. Skandali i dytë ka të bëjë me guximin për t’u prezantuar publikisht si blerës i ARMO-s, Rezart Taçi. Ky guxim nuk justifikohet, as me pagesat nën dorë që përfliten për të, as me nevojën e tij për t’u dukur, por mbi të gjitha me nevojën për të legjitimuar atë si pronar të ARMO-s, para se ai të bëjë blerjen faktike të saj, me qëllim që të plaçkitë pasuritë e mbetura të saj. Ka mbi dy muaj që ish-shefi i financës i kompanisë “Taçi Oil” është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i ARMO-s dhe ka tre muaj që disa firma fantazma të sajuara prej “Taçi Oil”-it po plaçkitin ARMO-n duke u përpjekur të sigurojnë ç’pará të mundin për blerjen e saj.
Por kryeskandali ngelet në mungesën e transparencës për pagesën e parave të ARMO-s. E di që shumë vetë më quajnë të marrë që dyshoj akoma se janë paguar paratë, pasi këtu ka dalë zyrtarisht një zëvendësministër si Neritan Alibali dhe ka deklaruar që “i morëm paratë”. Por ky zëvendësministër ka pasur guximin të hartojë një shkresë përpara tenderit, që i kërkonte blerësit të ARMO-s që ka në krah të ndryshojë ofertën, se ndryshe nuk e fiton dot tenderin. Pra, ky zëvendësministër është i kapur me shkresa që është thjesht në shërbim të kësaj kompanie fantazmë që mori ARMO-n pa lekë. Problemi është se gazeta “TemA” ka dhjetë ditë që kërkon çdo ditë konfirmim zyrtar nga ministria e zotit Ruli dhe nga Thesari, nëse kanë mbërritur paratë dhe asnjë nuk thotë që paratë kanë mbërritur, por thonë që burimi i parave na ka konfirmuar nisjen e dërgesës. Çfarë është ky konfirmim, askush nuk ta thotë. Unë rishfletova kontratën e shitjes së ARMO-s dhe aty gjeta një aneks, ku është një formular i gatshëm që duhet plotësuar në formë deklarate. Ajo deklaratë duhet të konfirmojë me shkrim se paratë kanë mbërritur. Ja forma e saj sipas kontratës:
Siç shihet, ajo është qartë, thjesht duhet plotësuar. Do të ishte serioze që ministri Ruli ta botonte këtë dokument në media dhe të mos na nxirrte në ekran portretin e vrerosur të Neritan Alibalit dhe fytyrën e një të përfoluri për mashtrime si blerës strategjik të ARMO-s. Po e pranojmë që dështoi strategjia e qeverisë që ARMO-n t’ia shiste një investitori serioz, po e pranojmë që dështuam të kryenim një proces të rregullt dhe transparent tenderimi, por nuk mund të pranojmë që kemi marrë paratë, pa i marrë ende, me qëllim që t’u lëmë kohë plaçkitësve të marrin kontrollin mbi produktet e ARMO-s dhe deri në qershor t’i bëjnë paratë e ARMO-s nga vetë ARMO. Prokuroria duhet të hetojë momentin kur paratë janë deklaruar të paguara dhe momentin kur paratë kanë mbërritur ose do të mbërrijnë në llogarinë e shtetit. Duhet parë nga vijnë dhe kush i dërgon këto pará dhe a vijnë vërtet nga llogaritë e pastra të blerësve të deklaruar me letra dhe blerësve që shfaqen në ekran. Ky është një proces serioz i privatizimit të një prej pasurive tona të mëdha kombëtare dhe mungesa e transparencës që e ka shoqëruar atë është skandaloze. Ky proces ka shkelur data, afate, kontrata, kushte dhe gjithçka tjetër. Së paku të mos shkelë kryepikën e kontratës, faktin që ARMO është shitur me pará dhe jo me deklarata shtypi.