BB: Ekonomia në vendet në zhvillim do tronditet
Uashington D. C – Kriza financiare botërore ka turbulluar përfundimisht perspektivat zhvillimore afatshkurtra për vendet në zhvillim, ku volumi i tregtisë botërore ka gjasa të tkurret për herë të parë që nga viti 1982. Ngadalësimi drastik ka bërë që çmimet e mallrave të bien dukshëm duke sjellë edhe fundin e një zhvillimi historik 5-vjeçar.
Sipas studimit Perspektiva Ekonomike Globale (PEG) 2009, të përgatitur nga Banka Botërore, ekonomia globale po kalon një tranzicion nga një periudhë afatgjatë rritjeje, të kryesuar nga vendet në zhvillim, në një periudhë të madhe pasigurie, ndërsa kriza financiare në vendet e zhvilluara ka tronditur tregjet kudo në botë.
Në vijim, PEG 2009 paralajmëron se rritja botërore e GDP do të jetë në nivelet 2.5 % në vitin 2008 dhe në 0.9 % për vitin 2009. Vendet në zhvillim do të shënojnë një rritje në 4.5 % vitin tjetër, çka dëshmon një rënie kundrejt 7.9 % të arritur në vitin 2007. Në anën tjetër, kjo rritje pritet të jetë negative edhe në vendet me të ardhura të larta.
“Njerëzve në vendet në zhvillim do t’iu duhet të përballen me dy goditje të mëdha të importuara nga jashtë - rritja marramendëse në çmimet e ushqimit dhe karburanteve, e pasuar kjo nga kriza financiare - e cila ka minimizuar tensionet në tregjet e mallrave, por që po teston efektivitetin e sistemeve bankare dhe po kërcënon një numër të konsiderueshëm njerëzish me humbjen e vendeve të punës kudo në botë”, - citohet të ketë thënë Justin Lin, ekonomist i lartë pranë Bankës Botërore dhe zv/president i Ekonomisë së Zhvillimit. “Masa urgjente duhet të ndërmerren për të parandaluar efektet negative të krizës në ekonomitë reale dhe te shtresat e varfra, përfshirë edhe vënien në jetë të projekteve publike në ndërtimin e rrugëve, hekurudhave, shkollave dhe sistemeve të kujdesit shëndetësor”.
Kundrejt kësaj krize, Grupi i Bankës Botërore po rrit gjithnjë e më shumë mbështetjen e vet ndaj vendeve në zhvillim, përfshirë edhe angazhimin e ri të IBRD për lëvrimin e 100 miliardë dollarëve në tri vitet në vazhdim së bashku me IFC, krahun e vet në sektorin privat, në formën e lehtësirave për financimin e tregtisë, rikapitalizimin e sistemit bankar, si dhe në formën e projekteve të infrastrukturës me financim privat, të cilat po përballen me turbullime financiare.
Në momentin kur volumi tregtar botëror pritet të tkurret afërsisht 2.1 % në vitin 2009, vendet në zhvillim do të përjetojnë rënie të konsiderueshme në nivelin e eksporteve. Kushtet me shtrënguese të kreditimit dhe pasiguria në rritje pritet të shohin ngadalësimin e rritjes së investimeve, si në vendet në zhvillim, ashtu edhe në vendet e pasura dhe të zhvilluara në vitin 2009, të cilat do të bien në 1.3 % për vendet e zhvilluara dhe do të rriten vetëm me 3.5 % në vendet në zhvillim përkundrejt shifrës 13 % në vitin 2007.
“Lipset që politikëbërësit në vendet në zhvillim të monitorojnë sektorët bankarë me kujdes dhe të përgatiten të parashikojnë mbështetje të jashtme, jo vetëm për monedhat, por edhe për sistemet bankare”, - thotë Uri Dadush, drejtor i Perspektivës Zhvillimore pranë Bankës Botërore, “duke parë rënien e pritshme në nivelin e tregtisë globale, si vendet e zhvilluara, ashtu dhe ato në zhvillim, duhet t’iu rezistojnë ngasjeve të ndryshme të proteksionizmit, të cilat nuk do bëjnë gjë tjetër, veçse do të zgjasin dhe thellojnë më tej krizën”.
Kjo rënie e konsiderueshme në rritjen globale ka ndryshuar drejtimin e rritjes së çmimit të mallrave që karakterizoi gjysmën e parë të vitit, ku çmimet e pothuaj gjithë mallrave ranë në mënyrë drastike që nga muaji korrik. Edhe pse çmimet e ushqimeve dhe karburanteve në vendet në zhvillim ranë në mënyrë të ndjeshme, gjithsesi ato mbeten të larta krahasuar me vitet 1990, ku trazirat sociale dhe krizat humanitare që ato shkaktuan ndihen edhe sot. Në vija të përgjithshme, çmimet e ushqimeve dhe të karburanteve iu kanë shkaktuar konsumatorëve në vendet në zhvillim rreth 680 miliardë dollarë në formën e shpenzimeve suplementare vetëm për vitin 2008 duke shtyrë rreth 130-155 milionë njerëz drejt varfërisë.
Sipas PEG, vitin tjetër çmimet e karburanteve pritet të arrijnë mesatarisht 75 dollarë për fuçi, ndërsa çmimet e ushqimeve pritet të ulen me 23 % krahasuar me mesataren e tyre për vitin 2008.
Në perspektivën afatgjatë, pavarësisht shqetësimeve se rritjet e fundit marramendëse të çmimeve mund të sinjalizonin një tkurrje të ofertës, raporti arrin në përfundimin se oferta do të plotësojë plotësisht kërkesën gjatë 20 viteve në vazhdim.
“Për periudhën afatgjatë, tkurrja e ofertës që solli dhe rritjen e madhe në çmimet e mallrave pritet të bjerë”, - pohon Andrew Burns, autori kryesor i raportit “Kërkesa për energji, metale dhe ushqime do të ngadalësohet për shkak të niveleve në ulje të rritjes së popullsisë, si dhe një kthimi të pritshëm në kahun e kundërt të kërkesës së lartë për metale nga ana e Kinës që do të shoqërohet edhe me rënie të nivelit të investimeve”.
Megjithatë, politikat e pritshme duhet të synojnë të mbështesin investimin në kapacitetin shtesë të ofertës dhe të nxisin masa më të mëdha të konservimit dhe eficiencës me synim mbajtjen në balancë të ofertës dhe kërkesës për mallra. Fitimet nga eficienca në sektorin e transportit (përfshirë automobilat që do të punojnë me hibridë, energji apo dhe hidrogjen), do të jenë veçanërisht të rëndësishme, sepse kërkesa e vendeve në zhvillim për makina dhe kamionë të rinj pritet të kërkojë ¾ e kërkesës për energji shtesë në periudhën deri në vitin 2030. Në anën tjetër, ndryshimet klimaterike dhe politika të tjera mjedisore mund të reduktojnë edhe kërkesën për hidrokarbure duke sjellë edhe përmirësime afatgjata të produktivitetit në sektorin bujqësor.
Edhe pse parashikohet një furnizim i bollshëm me ushqime në nivel global, gjithsesi niveli i prodhimit në vendet me rritje të shpejtë të popullsisë (kryesisht në Afrikë), mund të mos jetë në harmoni të plotë më kërkesën. Me synimin përfundimtar shmangien e varësisë nga ushqimet e importuara, këto vende duhet të vënë në lëvizje programe të ndryshme me synim rritjen e produktivitetit bujqësor, të tilla si ato që zgjerojnë rrjetin e rrugëve rurale, që rrisin kërkimin dhe zhvillimin në sektorin e bujqësisë dhe përshpejtimin e përpjekjeve për shpërndarje të gjithanshme.
Ndjeshmëria e lartë ndaj çmimeve të ushqimit kundrejt atyre të karburanteve që rezultoi nga prodhimi në rritje i biokarbureve kryesisht nga kulturat bujqësore, të destinuara për konsumim, ka gjasa të vazhdojë, nëse teknologjitë e reja, përfshirë zhvillimin e burimeve jo-ushqimore për prodhimin e biokarbureve apo burime alternative të energjisë - nuk rezultojnë të jenë joekonomike për biokarburet me bazë kulturat bujqësore.
Një rezultat domethënës i PEG është se eksportet e mallrave mund të stimulojnë rritjen, nëse hartohen dhe zbatohen politikat e duhura. Autorët e studimit pohojnë se vendet e pasura me burime të shumta kanë menaxhuar më me kujdes se në të shkuarën fitimet kolosale që buruan nga bumi ekonomik, menaxhim i cili do t’i lehtësojë ato të përballojnë më mirë rënien në çmime. Megjithatë, vendet me burime të sapo-zbuluara, si dhe vendet që bazohen në aktivitet të lartë në sektorin e huadhënies bankare, mund të jenë në risk. Kjo, sepse bashkë me çmimet e ulëta të mallrave, priten edhe ulje në fitimin e kompanive, në një kohë që interesat bankarë shënojnë nivele të larta - duke i ekspozuar ato ndaj kostove më të larta në momentin që fillon shlyerja e huasë.
Shumica e vendeve konsumatore reagon kundrejt çmimeve të larta të ushqimeve dhe të karburanteve duke krijuar dhe shtrirë rrjetet e sigurisë sociale me synim shmangien fenomenit të të mos-ushqyerit dhe të pasojave afatgjata që kjo do të sillte. Qeveritë shpenzuan deri në 2 % të GDP me anë të krijimit të mekanizimit të programeve, por, për shkak të planifikimit të dobët, me pak se 20 % e shpenzimeve suplementare shkuan në adresë të shtresave të varfra.
PEG rekomandon një sërë masash me synim evitimin e përsëritjes së një krize tjetër ushqimore. Këto masa përfshijnë heqjen e barrierave të eksportit, sigurimin e financimit të qëndrueshëm për agjencitë e përfshira në ndihmat ushqimore, si dhe përmirësimin e koordinimit të informacionit lidhur me rezervat globale ushqimore.