E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Don Bosko", babai i të arrestuarit thirret për viktimën

30/03/2005  "Njeriu me shenjë", etiketa e policisë për viktimën "Don Bosko"

Nuk është Toni Montana, por dy shenja në trup, plagë armësh, sipas specialistëve, kanë "detyruar" këta të fundit që në dosje të shënojnë... "Njeriu me shenjë". Një serial që nuk ka marrë fund, por që po shfaq befasi dhe frike të vazhdueshme. Vrasësi i vrarë më 5 mars 2005, në bllokun e banesave "Don Bosko", ka mbetur në morg dhe mundësitë e identifikimit ngjajnë sikur pakësohen, sa më shumë shtohen detajet. Kufoma e mbetur pa emër zyrtarisht, përveç dëmtimeve të ditës së vdekjes nga eksplozivi ka dhe dy shenja të tjera në trup. Sipas ekspertëve që kanë këqyrur të vdekurin, shenjat janë pasojë e copëzave të predhave, ç’ka sipas tyre lë të dyshosh se atentatori kishte të përsëritur punën që i solli vdekjen.

Dyshimet

Eshtë Leonard Prifti, është një dibran, është krushk me një nga anëtarët e bandës së Lushnjës, janë një pjesë e madhe versionesh që ende nuk kanë dhënë emrin e saktë të atentatorit, të vrarë më 5 mars te "Don Bosko". Megjithë dyshimet dhe provat e mbledhura në rrugë operative, të hamendësuar si të afërm, nuk kanë konfirmuar identitetin e viktimës që gjendet në morg, në pritje të njohjes nga ndonjë i afërm.

Hetuesit dyshonin se ishte Agim Perthi, një 45-vjeçar nga Dibra

TiRANË - Dështon tentativa e Prokurorisë për të identifikuar viktimën e "Don Boskos". Disa ditë më parë, përfaqësuesit e akuzës deklaruan se kishin rënë në gjurmë të viktimës dhe e identifikuan atë si një 45-vjeçar nga Dibra. Ndonëse, fillimisht, akuza nuk doli me emër konkret, në arritëm të zbulonim se personi që dyshohej të kishte hedhur veten në erë, quhej Agim Perthi. Emri i Agim Perthit lidhet saktësisht me njërin prej të pandehurve Elvis Perthi, i cili është vëlla prej nëne me Leonard Priftin, (pjesëtar i grupit të Lushnjës, gjykohet në mungesë për disa vepra penale). Pra, personi i shënjestruar nga Prokuroria si "viktimë", u mendua se ishte xhaxhai i të pandehurit Elvis Perthi, 18-vjeçarit që iu gjet numri i viktimës në kartën telefonike. Për Prokurorinë, drejt këtij personi i çoi edhe fakti se viktima kishte jetuar në Greqi dhe ishte kthyer pak kohë para ngjarjes. Edhe lidhja familjare me të pandehurit bëri që Prokuroria të hidhte dyshimet.

Identifikimi

Tri ditë më parë, përfaqësues të akuzës, duke menduar se kishin në dorë një provë përfundimtare, arritën në shtëpinë e Zeqir Perthit, babai i të pandehurit Elvis Perthi dhe njëkohësisht vëllai i Agim Perthit, të dyshuarit si viktima e "Don Boskos", që hodhi veten në erë. Nga Dushku i Lushnjës, Zeqir Perthi shoqërohet drejt e në morgun e spitalit në Tiranë. Prokuroria, përveçse kishte moshën e viktimës rreth 45 vjeç, arriti të shtinte në dorë edhe një provë tjetër. Viktima kishte proteza. Por ende nuk dihej nëse vëllai i Zeqirit, mbante proteza. Zeqir Perthi, i gjendur përballë kufomës, kundërshtoi njohjen me të. Babai i njërit prej të pandehurve, arrestuar se kanë patur dijeni për viktimën, i ka thënë Prokurorisë se vëllain e ka të gjallë dhe ndodhet në Greqi. Ai nuk ka pranuar të ketë njohje me viktimën, madje është shprehur se në këtë vorbull djali i tij është viktimë. Për t'i dhënë Prokurorisë një provë më të plotë rreth ekzistencës së vëllait të tij, Agim Perthit, Zeqiri ka dorëzuar një numër telefoni. I thirruri për identifikim të kufomës, Zeqir Perthi, është shprehur se vëllain e ka gjallë dhe prej kohësh ndodhet me punë në Greqi. Në këto kushte, përfaqësues të akuzës kanë qenë të detyruar të lidhen me telefon me vëllain e Zeqir Perthit në Greqi. Një tjetër shpjegim që Perthi i ka dhënë akuzës është edhe fakti se vëllai i tij nuk mban proteza, ashtu si kanë deklaruar ekspertët.

Arrestimi

Më 14 mars, Ditën e Verës, Elvis Perthi, vëlla nga nëna me Leonard Priftin, Ardian Llapushi, kunati i tij, u vunë në pranga nga policia e Tiranës, pas një pune operative të kryer për dy javë rresht. Në pranga nga policia u vu edhe 15-vjeçari Mario Hasani, që është kushëri me Elvis Perthin. Familjarët e Perthit, kryesisht babai i tij, Zeqiri, ka përjashtuar mundësinë e njohjes së djalit me Leonard Priftin. Madje, edhe vetë të pandehurit nuk kanë treguar se kush është viktima te "Don Bosko", të cilit ata i kishin numrin e telefonit dhe kanë komunikuar me të për disa ditë me radhë. Hetimet për tre të pandehurit janë duke u kryer nga Prokuroria për Krime të Rënda. Ndërkohë ende nga goja e tyre nuk është dhënë emri i personit "enigmë". Që nga data 18 mars kur morën masën e arrestit nga gjykata, të pandehurit janë duke u hetuar në Komisariatin e Policisë numër 3. Janë pyetur lidhur me numrin e telefonit, por që të gjithë ngrenë supet, duke thënë se gjithçka është një ngatërresë dhe se numri në kartë mund të jetë dhënë nga ndonjë i panjohur. Sqarimi i të pandehurve nuk e ka bindur akuzën, e cila vazhdon të këmbëngulë për mundësinë e identifikimit.

Të arrestuar

Elvis Perthi, 18 vjeç, banues në Dushk të Lushnjës

Ardian Llapushi, 27 vjeç, banues në Dushk të Lushnjës

Mario Hasani, 25 vjeç, banues në Lushnjë

Tre të ndaluarit e përgjuar në polici mohuan akuzat

Tre personat e ndaluar në bazë të dyshimeve se kanë dijeni mbi shpërthimin e eksplozivit te “Don Bosko” si dhe mbi personin që humbi jetën aty, nuk e kanë pranuar akuzën e ngritur ndaj tyre. Por në seancat e shpeshta hetimore, ata kanë deklaruar para prokurorëve se numri i telefonit i gjetur në vendin e ngjarjes është i Leonard Priftit, një prej të akuzuarve si anëtar i "bandës së Lushnjës".

Përgjimi

Mario Hasani, Elvis Perthi dhe Ardian Llapushi, nuk e dinin se disa orë pas ndalimit nga policia në shtëpitë e tyre në Dushk të Lushnjës, do të përgjoheshin në Drejtorinë e Policisë Tiranë. Vendimi për përgjimin u mor nga prokurori i gatshëm në Prokurorinë e Rrethit Tiranë. Ndërkohë që tre të ndaluarit, të cilët u vunë në pranga si persona që kishin dijeni për një ngjarje të ndodhur në lagjen "Don Bosko", ishin të mirinformuar për mënyrën e operimit të policisë. Nuk kanë treguar emra konkretë, madje kanë porositur njëri-tjetrin të mos identifikonin numrin e telefonit që ndodhej në kartën e secilit. "Dëgjoni, të jemi të gjithë në një mendje. Askush të mos tregojë se i kujt është numri i telefonit". Këto janë fjalët që kanë thënë të ndaluarit në polici gjatë përgjimit. Fillimisht janë marrë numrat në kartën telefonike të gjetur pranë trupit të viktimës. Më pas me këto numra kanë punuar persona operativë. Është bërë identifikimi i thirrjeve dhe emrave të personave që kishin folur me viktimën. Gjithsesi në momentin e marrjes në pyetje, të ndaluarit nuk kanë pranuar të kenë njohje me viktimën.

Atentati dyshohet kundër një ish-zyrtari të policisë

Prokuroria dhe policia dyshimet më të forta lidhur me objektin e atentatit te “Don Bosko” i ka hedhur mbi një ish-zyrtar të lartë të policisë. Por ende nuk është përjashtuar mundësia se ky atentat mund të kishte si objekt nënën e Klenti Banos. Nga burimet mësohet se ky ish-zyrtar i policisë pas viteve ’97 deri në vitin 2000 ka organizuar një sërë operacionesh kundër bandave të krijuara gjatë kohës së trazirave. Burimet sqarojnë se një nga këto banda kriminale të armatosura që kanë qenë nën shënjestrën e operacioneve, ka qenë dhe ajo e Lushnjës. Për shkak të cilësive të veçanta të këtij ish-funksionari të policisë, një pjesë e hetimit po kryhet nga struktura e Taks Forcës pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ndërsa fakti që tre të ndaluarit kanë pohuar se numri i gjetur në vendngjarje i përkiste një prej të akuzuarve si anëtar i “bandës së Lushnjës”, e konfirmon plotësisht versionin se pas atentatit të dështuar ka qenë dora e këtij grupi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›