E Shtunë, 31 Tetor 2026

Don Kishoti dhe Sindromi i Kutizmit

Oerd Bylykbashi* 

Para pak ditësh, gjatë ceremonisë së dorëzimit të çmimit prestigjioz  “Princi i Asturias”, Kadare tha se në ditët më të errëta të izolimit na ishte një kalorës që thyente kufijtë midis Spanjës dhe Shqipërisë. Ai ishte Don Kishoti. 
U bë kohë tashmë që PS, herë me gojën e kryetarit, herë të zëdhënësve të saj, kërkon ngritjen dhe kryesimin e një komisioni hetimor parlamentar, që sipas saj do të hetojë mbi të ashtuquajturën masakër zgjedhore që paska ndodhur më 28 qershor. Të gjitha këto tam-tame dhe ata që i bien atyre, më bëjnë të mendoj se Don Kishoti dhe tabori i tij i Kalorësve të Fytyrës së Vrerosur paskan ngecur në Shqipëri.
PS ka zgjedhur një model të thjeshtë për të propaganduar kërkesën e saj, atë të gënjeshtrës së Gëbelsit, i cili thoshte: “Nëse thua një gënjeshtër mjaft të madhe dhe vazhdon ta përsërisësh atë, në fund njerëzit do të fillojnë ta besojnë”. Kështu edhe Don Kishotët e PS kanë zgjedhur një gënjeshtër të madhe, se gjoja qenka shtrembëruar rezultati i zgjedhjeve dhe e qëllojnë atë si një gozhdë me të gjithë çekiçët, me shpresë se gozhda do të ngulet, qoftë edhe shtrembër, ku më pas të mund të varin xhaketën e vjetruar të bojkotit.
Besoj që PS-së dhe Kryetarit të saj i kujtohen zgjedhjet e viteve 2000, 2001 e 2003. Ishte PS-ja ajo që qeveriste në ato vite, ishte ajo që kontrollonte haptazi apo nën rrogoz administratën zgjedhore apo edhe gjyqësorin, ishte ajo që me maxhorancën e kualifikuar që zotëronte vetë, pa nevojën e opozitës, aprovoi Kodin Zgjedhor në vitin 2000. Ishte ai Kod që lejoi Dushkun e PS-së, kandidatët e pavarur fals të saj, procesin ankimor që i ngjante një pazari, lista zgjedhësish ku ishin futur rreth 600 mijë dublikata, ku policia ishte xhandar i zgjedhjeve e po të vazhdoj kështu, do më duhej kohë që të mbaroja. Asgjë të tillë nuk pamë në 2009-ën.
Që atëherë ka kaluar kohë, por ja që don kishotëve në PS u ka shkrepur në mend se mund ta rivënë gjithçka në skenë, por harrojnë se në 2009, pas aq shumë reformash të bëra me konsensus PD-PS e më gjerë, kjo duket si një komedi. Madje, humoristët e “Portokalli”-së e quajtën në mënyrë brilante si Sindromi i Kutizmit.
- Pse PS-ja nuk ka bazë morale dhe ligjore për sa kërkon? Reforma e vitit 2008 ka qenë reforma zgjedhore jo vetëm më e suksesshme, por me shkallën më të lartë të konsensusit. Si asnjëherë më parë, sistemi zgjedhor u sugjerua prej opozitës (PS), struktura e administratës zgjedhore ku LSI lihej jashtë u propozua me ngulm prej saj, po ashtu procesi i numërimit të votave apo hartimit të listave. KQZ për herë të parë u miratua me konsensus, madje PS-ja kishte veton për vendimet e rëndësishme të saj. Kurrë më parë PD-ja në opozitë nuk e kishte patur të drejtën të ofronte ajo zgjidhjet, apo të kishte kaq kontroll mbi administratën zgjedhore.
Kodi Zgjedhor garanton maksimalisht të drejtat e partive në zgjedhje, sidomos kur palët kanë komisionerë. PS-ja kontrollon vendimmarrjen në gjysmën e komisioneve, por ka përfaqësim të balancuar në të gjitha komisionet, duke filluar nga KQZ-ja, në të 66 KZAZ-të, mbi 4750 qendrat e votimit dhe në rreth 400 grupet e numërimit. Një armatë komisionerësh e vëzhguesish të PS-së prej rreth 20 mijë militantësh, të cilëve gjëja e fundit që u shkonte ndërmend ishte të braktisnin interesin e partive të tyre.
Pavarësisht të gjithë kësaj, PS-ja dhe aleatët e saj të veckël, që në ditët e para akuzuan PS-në se u kishte vjedhur votat, përfshirë këtu PSD-në, G99 apo ndonjë plankton politik tjetër që nuk e zuri dot rrjeta e sistemit zgjedhor, sot kanë paturpësinë të pretendojnë se u është vjedhur vota dhe se duhej të ishin ato fitueset e zgjedhjeve. Ditët e para u shanë me sho-shoqin, por, pasi e kuptuan se duke akuzuar njëri-tjetrin nuk bëheshin veçse gaz i botës, nxorën nga sënduku pretendimet për manipulime, duke u përpjekur t’i nxijnë sa më shumë ato, me shpresë se kjo do mbetet në mendjen e opinionit publik, paçka se nuk kanë asnjë provë.
Për fat, humbësja PS kishte të gjithë kohën në dispozicion për të mbledhur prova, për më tepër kur bëri vetëm katër ankime. Të thuash se ekspertët e saj ligjorë dhe e gjithë struktura e saj zgjedhore nuk patën kohë të mblidhnin provat, vetëm ata që dalin tek foltorja e PS-së mund ta besojnë.
- Fundja çfarë i nevojitej PS-së si provë? Procesverbalet e komisioneve, tabelat e rezultateve, kopjet e vendimeve dhe filmimet e numërimit, asgjë tjetër. Të gjitha këto PS-ja i kishte kur bëri ato katër ankime, por nuk paraqiti asnjë provë bindëse që të argumentonte rinumërimin, dhe kjo për një arsye të thjeshtë: në procesverbale nuk kishte asnjë kontestim, të gjitha tabelat ishin firmosur nga komisionerët e PS-së pa vërejtje.
Të gjitha qarqet ku PS pretendon për shkelje në numërim, janë hetuar hollësisht në KQZ dhe Kolegjin Zgjedhor. PS nuk kishte pengesë që të paraqiste qoftë edhe një minimum provash për të argumentuar shkeljet.
Por, argumenti i vetëm i PS për parregullsinë e numërimit është se komisionerët dhe vëzhguesit e saj nuk kanë bërë detyrën e tyre! Pra, rreth 20 mijë komisionerë dhe vëzhgues të PS nuk paskan bërë detyrën dhe as kanë mbrojtur interesin e saj! Kjo është absurde për këdo që e mendon, por është e turpshme për ata në PS që e thonë në kurriz të atyre mijëra militantëve të saj që shpenzuan me dedikim dhe për interes të PS-së orë e ditë pranë kutive të votimit. Por fundja lidershipit të PS-së aq i bën. Për të, qëllimi justifikon mjetin, paçka se komisionerët e PS-së apo deputetë të saj denoncojnë publikisht këto akuza absurde. Fundja ata do të duhen përsëri vetëm pas 4 vjetësh.
Asnjë provë shkresore apo filmike nga sistemi i kamerave nuk u paraqit as në KQZ as në gjykatë për parregullsi në numërim. Kjo provon atë që raporti i ODIHR-it tha për herë të parë: zgjedhjet arritën shumicën e standardeve ndërkombëtare. Madje, zëdhënësi i ODIHR-it shtoi se mes të tjerave ishin arritur standardet kyçe. E pra, standard më kyç se numërimi nuk ka. Saktësia e numërimit është ai që jep legjitimitetin e rezultatit. Është kjo arsyeja pse në përfundim, KQZ, në fund të një procesi super-garantist ankimor, i miratoi të gjitha rezultatet me votim 7-0, përfshirë anëtarët e emëruar nga PS-ja.
Kolegji Zgjedhor, në raste të tjera kur i ka interesuar PS-së, është konsideruar si i pavarur prej saj. Kujtoj këtu vendimin për mospërsëritjen e votimit në Elbasan në 2007, edhe pse qendra e shpallur e pavlefshme mund të përmbyste fitoren e PS. Apo vendimin për rrëzimin e kërkesës së PD për rinumërim të rreth 2400 votave të pavlefshme në Durrës, po në 2007, kur diferenca e PS ishte vetëm 360 vota, kërkesë kjo identike me atë të PS-së në 2009, apo jo?
Kodi përcakton në nenet 116-118 si procedurat e numërimit, ashtu edhe ato të rinumërimit të votave. Në rast se numërimi bëhet me unanimitet midis anëtarëve të grupit të numërimit dhe vëzhguesve të partive, tregon se nuk ka probleme, pra as kontestime.
Kolegji konstatoi mungesën e plotë të provave nga ana e PS për çështjet në fjalë. Në secilin grup numërimi, PS-ja dhe PSD-ja kishin gjysmën e anëtarëve. Për më tepër, për çdo tavolinë numërimi, përveç kamerave, garancia reale shtesë për PS-në ishte vëzhguesi i saj. Mjaftonte vetëm kontestimi gjatë numërimit i një prej numëruesve apo vëzhguesve të PS-së dhe vota do të quhej e kontestuar apo numërimi i papërfunduar. Ky kontestim bënte të detyrueshëm rinumërimin e menjëhershëm të të gjitha votave.
Në Berat, pavarësisht zallamahisë rozë për mandatin që u qenka vjedhur, janë kontestuar më pak se 50 vota në të gjithë qarkun, por sipas logjikës deformo të lidershipit të PS, edhe në KZAZ-të me shumicë socialiste, mijërat e komisionerëve të PS ose paskëshin qenë syleshë, ose të korruptuar! Me sa duket PS nuk kontrollon rreth 20 mijë militantë të saj, pra 1/3 e anëtarësisë! Nëse kjo është e vërtetë, është shenjë e keqe për lidershipin e saj.
PS kujtoi se e zgjidhi hallin kur dy anëtarë të propozuar prej saj kërkuan me nxitim rinumërimin dhe rivlerësimin e votave masivisht, pa asnjë provë të paraqitur nga PS-ja, sepse sipas tyre dhe PS-së, kjo ishte e detyrueshme po ta kërkonin dy an%tarë. Në mos njëanshmëri politike, ky është një moskuptim i rëndë i ligjit nga ata që e ideuan dhe e mbrojtën një pozicion të tillë.
Kolegji, në vendim e tij për Beratin afirmon principin “kur nuk ka mosmarrëveshje, nuk ka as gjykatë”. KQZ nuk ka kompetencë fillestare rinumërimi. Ajo mund të rinumërojë vetëm në proces ankimor dhe vetëm votat që janë kontestuar që në momentin e numërimit. Për gjykatën, kontestime të mëvonshme, të padokumentuara gjatë procesit të numërimit, të hamendësuar se ndoshta mund të ketë prova në kuti e të motivuara nga humbja e hidhur, janë të pabazuara prova e në ligj. Kjo është praktikë e Kolegjit edhe në zgjedhje të mëparshme, dhe sanksionon standard të qartë dhe koherent. Humbja në zgjedhje nuk përbën provë dhe gjykata nuk bën politikë, por shqyrton prova.
Edhe dy anëtarët nuk mund të kërkonin rinumërim pa patur një proces ankimor ku të paraqiten prova. Kur këtë të drejtë nuk e ka KQZ-ja, nuk mund ta kenë as dy anëtarë, përndryshe ç’na duhet KQZ-ja?! Kemi dy anëtarët! Për këto arsye, Kolegji shprehet se kërkesa e dy anëtarëve të KQZ është e paligjshme konceptualisht dhe në mungesë të provave të nevojshme për këtë lloj kërkese.
- A mund të rinumërohen votat me komisione hetimore? Komisionet hetimore ngrihen sipas nenit 77 të Kushtetutës si dhe ligjit për komisionet hetimore, të miratuar në 2002 me shumicë të PS-së. Ky ligj përcakton në mënyrë të qartë se komisioni hetimor nuk mund të ushtrojë atributet e gjykatave.
Gjykata Kushtetuese, me kërkesë të 32 deputetëve të PS, në vitin 2003 me rastin e komisionit anti-Rama, interpretoi nenin 77 të Kushtetutës, duke qartësuar kuptimin e tij. Në këtë vendim, Gjykata shprehet se marrëdhëniet ndërmjet gjyqësorit dhe parlamentit bazohen në parimin i ndarjes së pushteteve. Rama atëherë nuk mendoi se ky vendim do t’i kthehej si bumerang.
Gjykata Kushtetuese shprehet se vendimet gjyqësore mund të ndryshojnë vetëm nga një autoritet gjyqësor më i lartë. Më tej Gjykata vijon se parimi kushtetues i ndarjes së pushteteve përjashton çdo formë kontrolli mbi vendimet e gjykatave dhe se shprehja e vlerësimeve mbi vendimet e gjykatave nëpërmjet raporteve të komisioneve hetimore është në kundërshtim me parimet kushtetuese. I pëlqen PS-së ose jo, ka folur Gjykata Kushtetuese.
Ndonjë Don Kishot, apo Dylqine e PS-së përpiqet të thotë se nuk është qëllimi të hetohen vendimet e Kolegjit, por thjesht njohja me materialet zgjedhore. Madje thonë se shumica parlamentare nuk mund të kufizojë objektin e hetimit të komisionit dhe se komisioni nuk po merr kompetencat e KQZ dhe Kolegjit.
Gabim! Nuk jemi në pazar ku mund të zgjedhim gjykatën sipas qejfit, dhe kur nuk na del hesapi te njëra, provojmë tjetrën. Gjykimi i ankimeve zgjedhore në rrugë gjyqësore është juridiksion ekskluziv i Kolegjit Zgjedhor. PS e ka ushtruar të drejtën për t’iu drejtuar gjykatës mbi parregullsitë që ajo pretendon dhe gjykata, duke shqyrtuar në themel këto pretendime i ka rrëzuar ato për mungesë provash. Dhe meqë gjykata nuk pranoi kërkesën për rinumërim se nuk u paraqitën prova, hajde ta bëjmë këtë me komision. Të përpiqesh të minosh vendim e gjykatës me komision hetimor, nuk është të marrësh kompetencën e saj, por të ushtrosh kontroll e të shprehësh me raport një opinion të Kuvendit mbi ç’ka vendosur gjykata. Një komision me objekt të tillë bie ndesh me parimet kushtetuese, dhe është detyrë e Kuvendit që Kushtetuta të mos shkelet për ëndrra don kishotësh me kuti me erë. Më haptas se kaq në kundërshtim me parimet kushtetuese nuk mund të jesh!
Duke ndjekur Gëbelsin, don kishotët e PS të paktën kanë arritur t’ia mbushin mendjen top vetes se kanë të drejtë. Tjetërkujt jo, as ndërkombëtarëve. Ishallah sindroma e “kutizmit” nuk u kthehet në atë të “autizmit”, se nuk ka komision që u bën derman pastaj!

* Ekspert i PD, bashkëhartues
i Kodit Zgjedhor

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›