E Diel, 1 Nëntor 2026

Lonçareviç: Humba tre muaj jetë kot te Tirana

 

Leonard Karaj

Ilija Lonçareviç është larguar nga drejtimi i skuadrës së Tiranës, për shkak të basteve dhe mafies shqiptare.Në këtë konkluzion ka dalë revista kroate “Nogometni Magazin” (revista e futbollit) në numrin e saj të fundit, pas një interviste të zhvilluar me ish-trajnerin bardheblu, Ilija Lonçareviç. Revista në shkrimin e saj (www. nogometni-magazin.com) konfirmon se një gjë e tillë nuk vjen drejtpërsëdrejti nga goja e teknikut kroat Lonçareviç, por nga hulumtimet, investigimet dhe bisedat e shumta me njerëz të sportit që kanë shkelur tokën shqiptare. “Vetëm tre muaj e gjysmë ishte në krye të klubit më të madh në Tiranë, sepse më pas u vetëlargua. Vetë Ilija Lonçareviç nuk do të thotë shumë gjëra rreth shkaqeve të këtij largimi, por burimet tona në Tiranë dhe jo vetëm kanë konfirmuar se futbolli shqiptar është në duart e mafias së basteve. Kur trajneri kroat e kuptoi se ai ishte veçse një i burgosur i basteve, vendosi të largohej, pavarësisht nga popullariteti ekstrem që gëzonte në tokën e shqiponjave”, shkruhet në artikull.
Lonçareviç 
Ndërkohë vetëm trajneri kroat që ka punuar që prej Tripolit në Libi si trajner i Kombëtares së këtij shteti e deri në Tiranë te klubi bardheblu, ka pohuar se largimi i tij nga SK “Tirana” ishte i motivuar. Kjo bazuar në mosarritjen e rezultateve, edhe pse sipas tij, nuk i pati munguar mbështetja e klubit dhe tifozëve. “Vendosa të largohesha vetë, edhe pse drejtuesit e klubit atje ishin në anën time. Në Tiranë të gjithë donin që të qëndroja, por e pashë se nuk kishte më asnjë kuptim puna ime atje, ndaj u tërhoqa. Për fat të keq, kam humbur disa kohë, sepse mund të isha marrë me punë në ndonjë klub serioz”, shprehet ai për këtë revistë.
Josip Kuzhe
Pyetjes se, në çfarë pozitash është Josip Kuzhe në krye të Kombëtares shqiptare, Ilija Lonçareviç nuk ka nguruar t’i japë versionin e tij, duke bërë më shumë rolin e trajnerit sesa të specialistit. “Pas barazimit me Danimarkën, kishte status fenomenal, por pas disfatës që pritej ndaj Suedisë, u kritikua shumë. Tashmë, opinioni atje ka mendimin se Kuzhe është i detyruar të aktivizojë lojtarë të rinj në Kombëtare. Por, Shqipëria është mjedis euforik. Nëse merr një rezultat të mirë, të gjithë kërkojnë majat, por kur humb, optimizmi bie ndjeshëm. Unë mendoj se nuk ka asnjë dyshim, Kuzhe duhet t’u besojë lojtarëve të perspektivës për eliminatoret në vazhdim. Shqipëria ka shumë lojtarë të rinj të mirë dhe mund të bëjë një ekip shumë cilësor. Përveç kësaj, Oto Bariç ka lënë një përshtypje mjaft të mirë në Shqipëri”, ka pohuar Lonçareviç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›