E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faza e tretë e Kosovës së re

Behgjet Pacolli 

Ndërsa udhëtoj rrugëve të Kosovës, ndërsa zhvilloj tubime në shumë salla e pallate sporti për fushatën zgjedhore të organeve të qeverisjes vendore, më bën shumë përshtypje prania e madhe e të rinjve të kyçur në to.  Janë shumë djem dhe vajza, anipse ka njëfarë skepticizmi se 6 votime në 9 vjet të lirisë, zhgënjimi nga politika e këtyre 10 vjetëve, apo thirrjet joshëse për të bojkotuar zgjedhjet e mbajnë larg rininë nga politika e ditës që vjen prej qeverisë.
Këta të rinj që unë shoh përditë janë Kosova e re, që unë besova se do të fillonte të ndërtohej me ritme të shpejta, kur disa vite më parë vendosa të themeloja partinë tonë, dhe ta pagëzoja me këtë emër duke besuar në një vizion të ri që vinte nga perëndimi. Ashtu si unë. Asokohe vija nga perëndimi ku kisha ndërtuar shumë dhe ku kisha fituar shumë. Kisha provuar kënaqësinë e krijimit, të ndërtimit të komplekseve gjigande urbane anembanë botës, por më mungonte Kosova. Kisha ndjekur zhvillimet e tranzicionit të egër të atdheut tim me një vëmendje të madhe: e dija se një ditë do kthehesha në vendin tim ku duhet të bëja shumë, t’i shlyeja borxhin prindërve të mi, miqve të mi, bashkëkombësve të mi. Pa përsëritur gabimet e të tjerëve.
 
Refleksionet e mia
Për startin e këtij tranzicioni të Kosovës prej 1989-ës, nga Jugosllavia në një shtet të ri tonin, do të duhet t’i bëjmë më së pari homazh Ibrahim Rugovës. Ai ishte bartësi më i parë i idesë së shtetësisë së Kosovës që zu fill me lëvizjet e 1968, demonstratat e 1981, dhe tek fryma e lirisë që gjendej kudo në zemrat e kosovarëve. Ngritja dhe frymëzimi prej tij i një sistemi paralel shoqëror apo parashtetëror brenda diktaturës serbe ishin dëshmi e aftësive shtetformuese të shqiptarëve... Ai shenjoi fazën apo ciklin historik që koha do ta identifikojë me emrin e tij. Faza e Rugovës. Fara e ideve të tij, e mësimeve të tij, u përhap në të gjithë shoqërinë tonë, në të gjithë partitë e reja që u krijuan, por askush s‘mund të pretendojë pronësinë e tyre. Veç Atij!
Përballë një diktature të egër të huajit, rezistenca paqësore ishte megjithatë e pamjaftueshme. Ne nuk kishim kohë për të humbur më në robërinë serbe. Djemtë dhe vajzat e UÇK-së që u bënë theror përshpejtuan historinë tonë dhe i dhanë jetë një faze të re, që zuri fill me sakrificën unike të Jasharëve. Kjo fazë sakrificash të përgjakshme u ndërtua rreth simbolit të tyre, të Haradinajve, Pajazitëve, Agim Ramadanit etj. Heronjtë e UÇK-së e afruan Kosovën dhe më tej me SHBA dhe Europën e qytetëruar, duke iu shmangur joshjeve të sirenave të luftërave me bazë fetare dhe duke përqafuar vlerat perëndimore. Kjo ishte fitorja më e madhe strategjike e shqiptarëve - Aleanca me perëndimin. Udhëheqësia e UÇK-së mund të ketë bërë dhe gabime dje në luftë, dhe sot në qeverisje, ku gjendet në një mënyrë ose në një tjetër prej dhjetë vjetësh. Por në fazën historike që mban emrin e tyre, Faza e UÇK-së, ajo solli bashkë me perëndimorët njëherësh Lirinë dhe Pavarësinë. Bash për këtë ne duhet t’i nderojmë ata!
Ama liria dhe pavarësia duhet të fisnikërohen me mirëqenie. Të jesh luftëtar i mirë, nuk do të thotë se je udhëheqës i mirë i paqes. Uinston Cërcill, udhëheqësi fitimtar i luftës së dytë, humbi zgjedhjet e para në paqe. Prej këtij shembulli na vjen mësimi i përbotshëm se meritat e së shkuarës nuk janë të përjetshme. Disa të meta njerëzore nuk i fshin dot as koha, as pushteti, madje ai i thekson ato. Kam qenë më shumë se të tjerët i vetëdijshëm për gabimet që bënin të ardhurit nga lufta, apo ata që u përpoqën të përvetësonin emrin e babait të pavarësisë sonë, por kjo s’më pengoi të bashkëpunoja me ta. Në emër të pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës. Kjo ndjenjë bashkëpunimi mund të jetë keqkuptuar, por unë isha i pajisur me durim se rotacionet e pluralizmit do t’i jepnin të drejtë gjithnjë më të zotit. Pashë sesi një pjesë e liderëve të joshur nga luksi dhe të mirat e pushtetit harroi si erdhi në krye të vendit duke u përpjekur të materializojë të shkuarën, duke uzurpuar të sotmen dhe duke mbyllur perspektivën për të ardhmen. ...Pavarësia i hap rrugën shtetësisë së Kosovës, por nuk është vetë ajo. Pavarësia mund të mbetet një kuti e bukur boshe, nëse nuk mbushet me përmbajtje. Dhe ne, duhet të hapim një fazë të re në zhvillimin e shtetësisë së Kosovës. Ajo do të mbështetet në arritjet më të mira të dy fazave, në bashkëpunimin me individët më të shquar të tyre që e kuptuan realitetin e ri të zhvillimit të Kosovës, që nuk e braktisën idealin e dikurshëm...
 
Çfarë nënkupton kjo fazë e tretë historike?
Faza e tretë e historisë sonë imponon që t’ia nisim nga realizimi i vetëmjaftueshmërisë ekonomike të Kosovës pikërisht duke u mbështetur te prototipi udhëheqësve menaxherë, teknokratë, jokarizmatikë, jomburravecë dhe zgjedhjet lokale po na japin shansin të ofrojmë individë të kësaj kategorie.
Nuk mund të mbijetojë një vend që importon 95% dhe eksporton vetëm 5% mallra. Si mund të rrojë një shtëpi që vetëm merr borxh? Nuk mund të mbijetojë një vend që braktis tokën dhe e lë djerrë atë. Kjo ndodh dhe në Shqipëri, pak më pak tek ne, por ama jemi shumë më keq se fqinji ynë Maqedonia, që na shet produktet e veta bujqësore. Ne dimë të arrijmë te vetëmjaftueshmëria, ne dimë ta ndërtojmë Kosovën me projekte të reja zhvillimore të mbështetur tek rinia e mrekullueshme e saj, aq e dëshiruar për kulturën, për dijet, për internetin dhe teknologjinë e re. Kështu do luftojmë papunësinë dhe moshën e re të popullsisë sonë do ta shndërrojmë në aset strategjik. Ne e dimë se që të krijohet shteti i ri i Kosovës, duhet nisur nga ekonomia që do të prodhojë mirëqenie. Ky ka qenë ideali i Themeluesit të pavarësisë dhe i heronjve të lirisë; kjo është Harta e Rrugës së Kosovës së Re. Ekonomia s’mjafton megjithatë: ajo do njerëz të ditur. Ne do ngremë në Kosovë shkollat e së ardhmes - një arsim profesional modern, universitete të vërteta dhe jo fabrika diplomash. Ekonomia do njerëz të ditur dhe ky sistem arsimor që ka Kosova në të gjithë nivelet po prodhon efekte të dëmshme, thuajse të pariparueshme dhe ndaj ne do ta reformojmë plotësisht. Faza e tretë e zhvillimit për të cilën flas është faza e dijes, e mendjes, e lapsit dhe jo e forcës dhe e muskujve...
Ne kemi mësuar nga historia e shtetformimit në vende të tjera. Prandaj ne kemi folur të parët për Kosovën e re. Ne kemi folur të parët për kosovarët. Ne e dimë se kombi shqiptar është një, por një trung i shëndoshë kombëtar mund të rritet dhe forcohet më mirë nga dy degë të forta të tij. Ne e dimë se një shtet i ri i Kosovës do të krijojë një identitet të ri politik. Jo identitet të ri kombëtar, por identitet të ri të bashkësisë së kosovarëve të rinj. Ç’do të thotë kjo në përfytyrimin tim? Po e sqaroj që të mos krijohen keqkuptime.
A ju duket e arsyeshme që një vend i vogël si yni që është sa një lagje e një kryeqyteti të madh perëndimor të funksionojë mbi baza regjionale? Kështu funksiononte feudalizmi, principatat e mesjetës, por ne jemi në shekullin e 21-të. Ne nuk duam që dhe fëmijët tanë të vazhdojnë t’i drejtohen njëri-tjetrit sipas komunës së babait dhe nënës së vet. Ne duam që ata të ndihen krenarë si kosovarë. Si banorët e shtetit më të ri të botës që i ka themelet e shëndosha dhe që s’guxon të gabojë në ndërtimin e së ardhmes. Ky është identiteti i ri kosovar për të cilin luftoj. Dy degët e kombit do të bashkëjetojnë me njeri tjetrin, do të konkurrojnë njëri-tjetrin, do të përfitojnë reciprokisht tani dhe nesër brenda Europës së bashkuar.
Ne duam një patriotizëm të ri modern! Ne duhet të punojmë për krijimin e një tregu të madh kombëtar, që rruga e madhe e Kombit të mbushet me lëvizje mallrash, kapitalesh, njerëzish; ne duhet të punojmë për krijimin e një tregu të madh rajonal. Europa nuk na do ne brenda për problemet tona, por për potencialin tonë ekonomik, kulturor, njerëzor të bashkuar!
Kosova e re ka nevojë pra për një klasë politike të re. Të reformuar. Kosova e re ka nevojë për burra shteti!
Ne e dimë ç’do të thotë të ndërtosh, duke futur shpirtin në veprën që ngre dhe lartëson përditë. E keni provuar kënaqësinë e ndërtimit të një shtëpie të re? Kur ajo rrit shtatin tullë pas tulle, mur pas muri, kat pas kati? Faza e tretë është faza e krijimtarisë, faza e njerëzve krijues. Kjo është kënaqësia e krijimit, që ne e kemi provuar në eksperiencat tona të mëparshme profesionale dhe njerëzore. E kemi provuar këtë kënaqësi tërë jetën tonë. Ndaj jemi të bindur se ka ardhur koha për ndërtimin e Kosovës së re. Ne e dimë mirë se faza e Kosovës së re sapo ka nisur. E shoh këtë dhe në sytë e atyre djemve dhe vajzave të rinj në tubimet tona.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›