Donacione në situatë krize, QSUT-së i falen 136 mijë euro ilaçe
Një kompani farmaceutike gjermane ka dhënë për Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” një fondacion prej 136 mijë eurosh me medikamente. Dhurimet kanë ardhur nga një kompani farmaceutike gjermane e cila ka siguruar antihipertensivë dhe antidiabetikë. QSUT-ja ka mirëpritur dhurimet, ndërkohë që ilaçet pritet të shkojnë për rritjen e cilësisë së trajtimit spitalor të pacientëve me preparate të reja bashkëkohore.
Dhurimet
Ky dhurim plotëson nevojat e QSUT-së, duke ndihmuar gjithashtu edhe në krijimin e tepricave. Alvi Bajramaj, zëdhënës në zyrën e Marrëdhënieve me Median dhe Publikun, bënë të ditur: “Medikamentet e dhuruara janë ACE-inhibitore, betabllokues-nebilet, diuretike-trifas, ARB dhe antidiabetik oral”. Sipas tij: “Përveç plotësimit të nevojave të QSUT-së për këto medikamente, ky donacion do të ndihmojë mjekët klinicistë shqiptarë që të krijojnë një eksperiencë të pasur me to”.
Dhurimet e huaja vijnë në QSUT në kohë krize të heshtur, pas bujës që bëri për një kohë të gjatë mungesa e medikamenteve. Furnizimi i pjesshëm i spitaleve universitare me medikamente stok nga spitalet e rretheve duket se e mbuloi situatën me heshtje. Nga ana tjetër, si për t’i dhënë përgjigje situatës konfuze, mbi pasjen ose jo të ilaçeve në spitale, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka deklaruar se qendrat shëndetësore në të gjithë vendin e kanë tejkaluar krizën e medikamenteve. Sipas saj, ditët e fundit mbeten për t’u pajisur me ilaçe edhe disa pavijone në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në mënyrë që të plotësohen të gjitha nevojat.
Medikamentet
Ndërkohë, ilaçet stok të mbledhura nga spitalet e rretheve janë drejt fundit. Disa pavijone të Spitalit Universitar “Nënë Tereza” kanë filluar të ndiejnë sërish krizën e medikamenteve. Një pjesë e shërbimeve janë pothuajse të ngrira si shkak i mungesave të materialeve të domosdoshme, ndërkohë që të tjera janë duke punuar me ato pak që kanë mbetur në farmaci. Më problematike situata paraqitet për ato pavijone, medikamentet e të cilave prokurohen vetëm përmes tenderave.
Burime zyrtare pranë drejtorisë së Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” konfirmojnë për “standard” se procedurat tenderiale kanë përfunduar dhe se po pritet që medikamentet të prokurohen në bazë të ligjit të prokurimeve pas 30 ditëve.
“Procedurat tenderiale kanë përfunduar tashmë të gjitha dhe pritet thjesht që të prokurohen. Duhet theksuar se çdo gjë po bëhet në bazë të procedurave ligjore, të cilat duhet respektuar, edhe afatet kohore që ato vendosin, limiti i të cilëve është 30 ditë”, - pohuan burime pranë drejtorisë së QSUT-së.