E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët e urgjencave, kurs i ri në Fakultetin e Mjekësisë



Rreth 50 mjekë të shërbimit të urgjencës kanë nisur dje një kurs trajnues për një muaj. Kursi do të hapet në Fakultetin e Mjekësisë dhe synon trajnimin e mjekëve të urgjencës. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, theksoi se trajnimi vjen në kuadër të reformimit të sektorit të urgjencës dhe shtimit të specialistëve në sektorin e urgjencave.

Kursi

Ky kurs ka për qëllim të trajnojë mjekët për të përballur traumat e rënda kur paraqiten në shërbimin e urgjencës. Këto kanë të bëjnë me trajnimin në praktikat e reanimacionit, të stabilizimit të pacientit si edhe t’u ofrojë një shërbim urgjence personave jashtë spitalit, në mënyrë që të arrijnë në shërbimin e urgjencës, pasi kanë marrë një trajtim të përshtatshëm. Gjithashtu, ky kurs do të ndihmojë në trajnimin e mjekëve tanë për sa i përket tirazhit.

Në kuadër të reformës spitalore si edhe asaj të urgjencave, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me specialistë të shëndetësisë së rajonit të Puljas, nisën dje trajnimin e 50 mjekëve të shërbimit të urgjencave në tërë vendin. Kjo nismë vjen në zbatim të strategjisë së miratuar për emergjencë-urgjencat..

Ministrja Godo, gjatë fjalës së saj, theksoi se në bashkëpunim me kooperacionin italian dhe qeverinë japoneze, do të mund të ndryshojmë ndjeshëm shërbimin e urgjencave në të tëra spitalet rajonale të vendit. Ky bashkëpunim do të jetë si në infrastrukturë, pajisje të teknologjisë së fundit si edhe në trajnimin e kapaciteteve njerëzore si ky i sotmi. Gjithashtu, prioritet u është dhënë edhe spitaleve të Lushnjes dhe Sarandës, për nga fluksi i njerëzve që ata trajtojnë.

Infrastruktura

Sipas Godos, reformimi i shërbimit të urgjencës do të ketë si prioritet edhe përmirësimin e infrastrukturës. Ministrja tha: “Ne po lëvizim në tri drejtime. Fillimisht do të përmirësojmë infrastrukturën. Do të plotësojmë me pajisjet e nevojshme urgjencat si dhe do të ngremë dhe perfeksionojmë kapacitetet njerëzore”. Për sa i përket përmirësimit të infrastrukturës në shërbimet e urgjencës, sipas ministres së Shëndetësisë, do të realizohet me anë të financimit nga kooperacioni italian si dhe nga një projekt i qeverisë japoneze.

Ndërkohë që kushtet aktuale të urgjencave në vend lënë për të dëshiruar. Një pjesë e mirë e tyre nuk përballojnë rastet e pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore. Ndër më problematiket paraqitet urgjenca e Kardiologjisë në QSUT dhe ajo e Pediatrisë. Mungesa e ambienteve dhe e shtretërve, në rastet më të mira ka bërë që mjekët t’i trajtojnë me ndihmë pacientët në karrige dhe në këmbë. Ndërkohë që për rastet e tjera qytetarët të detyrohen të marrin mjekimin e parë në këmbë dhe më pas të përcillen në shtëpi. Por, sipas ministres Godo, situata e urgjencave do të ndryshojë pas zbatimit të reformës në këtë sektor.

“Për shëndetin publik”

Projektligji sipas detyrimeve të MSA-së

Marrja e masave për mbrojtjen e shëndetit të popullatës, një detyrim i përafrimit sipas Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në fushën e shëndetësisë, është pasuruar së fundi me projektligjin "Për shëndetin Publik" të ministrisë së Shëndetësisë, me asistencë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Propozimi i projektligjit vjen në të njëjtën kohë me reformimin në sistemin shëndetësor, gjë që inkurajon iniciativën private dhe autonominë e institucioneve shëndetësore, shprehen ekspertë të ministrisë së Shëndetësisë. Sipas tyre, është e rëndësishme që të ruhet balanca midis mbajtjes në kontroll të kostos së shërbimeve mjekësore dhe aksesit të barabartë të popullatës në shërbimet bazë, ç'ka përfshihen si pjesë e këtij projektligji. Qëllimi i projektligjit është mbrojtja e shëndetit dhe promovimi i jetesës së shëndetshme të popullatës, përmes veprimeve të organizuara, ndikimi i të cilave shpërndahet në mënyrë të barabartë në të gjithë grupet.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›