E Diel, 1 Nëntor 2026

Pastrimi i bregdetit durrsak, kryekomunarët kërkojnë ndihmën e ushtrisë



Prej disa muajsh zonat bregdetare në disa komuna të qarkut të Durrësit po kthehen në vatra të ndotjes të cilat janë premisa që me afrimin e vapës, të kthehen në vatra epidemie. Masive me plehra të vjetër e të rinj, të zë syri përgjatë rrugëve rurale të cilat të çojnë në zonën bregdetare nga fshati Rinia deri në Gjirin e Lalësit. Duke mos pasur reagimin e deritanishëm të Drejtorisë së Shëndetit Publik, që nuk ka kapacitetet e mjaftueshme, kryetarët e komunave kërkojnë ndërhyrjen e ushtrisë me mjetet dhe burimet e saj njerëzore.

Të ndërhyjë ushtria

Vetëm pastrimi i bregut të detit kërkon forca dhe mjete të shumta dhe të specializuara që këto komuna e bashki, por ato nuk i disponojnë e nuk kanë as fonde për t’i siguruar. Një situatë e tillë do të kërkojë ndihmën e Ministrisë së Turizmit si dhe të institucioneve të tjera të shtetit. Duke folur përgazetën “standard” krerët e dy komunave më të prekura deklaruan: “Duhet urgjentisht ndihmë nga Ministria e Mbrojtjes, nga z. Oketa, mjetet e ushtrisë, pasi ne aktualisht nuk disponojmë të tilla, për të normalizuar situatën dhe vendosur rregull e higjenë para sezonit”.

Deri tani, askush nuk është kujtuar për të vënë dorë për të pastruar plehrat në këto zona të cilat mendohet se shumë shpejt do të jenë me prioritet turistik. Masivi i plehrave është aq i madh sa që vetëm ndërhyrja e forcave dhe mjeteve të ushtrisë mund ta zgjidhin situatën. Për të shkuar në këtë pjesë të bregdetit të Durrësit funksionojnë tri rrugë, të cilat paraqiten relativisht të mira. Rruga e parë është ajo që lidh qytetin e Durrësit me Bishtin e Pallës dhe më tej me fshatin Rinia.

Situata

Rruga e dytë lidh komunën Xhafzotaj me fshatin bregdetar të Rrushkullit dhe e rruga e tretë lidh Maminasin me Gjirin e Lalësit. Përgjatë këtyre rrugëve, anës qendrave të banuara, kur fare pak muaj na ndajnë nga sezoni veror 2009, të zë syri grumbuj të pafund me plehra të cilat kanë vite që nuk janë evaduar prej andej.

Me mijëra shishe plastike kanë mbushur kanalet kulluese nga të dyja anët e këtyre rrugëve, aq sa ato kanë dalë jashtë përdorimit. Përgjatë rrugëve nuk të zë syri asnjë kazan plehrash apo gropa të përshtatura për të depozituar plehrat, kurse Shëndeti Publik në Durrës hesht.

E njëjta situatë për sa u përket grumbujve me plehra shihet edhe në disa komuna në bregdet. Sipas banorëve të këtyre zonave, plehrat janë grumbulluar që gjatë sezonit të verës së kaluar dhe askush nuk i ka pastruar. Këto janë plazhe të lira që askush nuk i administron, sqarojnë banorët e fshatrave aty pranë.

Janë komunat të cilat i kanë në juridiksionin e tyre, si rrugët ashtu edhe pjesën e bregdetit, që sipas ligjit duhet të vënë dorë si për pastrimin dhe evadimin e plehrave nga rrugët, por edhe nga bregu i detit. Këto janë komunat e Katundit të Ri dhe të Ishmit. Por nga ajo situatë që është krijuar, këto njësi të pushtetit vendor duket se e kanë të pamundur që të vendosin normalitetin.

Nisma

Strategji për pastrimin e Durrësit

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka miratuar projektin e gjelbërimit të qytetit bregdetar për vitin 2009. Duke folur për “standard” ai deklaroi: “Aktualisht, sot në Durrës ka 218 mijë metra katrorë sipërfaqe të gjelbëruar dhe brenda vitit objektivi është dyfishimi i kësaj sipërfaqeje, njëkohësisht edhe sezonin e ri turistik 2009 ne do ta presim me parqe dhe lulishte të reja, gjë e cila shton shanset për një turizëm elitar”.

Prej disa ditësh ai ka nisur inspektimin në njërën prej rrugëve kryesore të Durrësit ku po mbillen me qindra fidanë pemësh dekorative. Kryebashkiaku ka parë nga afër realizimin e projektit të parë të bashkisë për vitin 2009 me objekt gjelbërimin e bulevardeve të Durrësit. Dako tha: “Gjatë këtij viti do të përfundojë gjelbërimi i bulevardeve të Durrësit dhe në vitet në vazhdim do të shkojmë drejt periferisë dhe në vëmendjen tonë do të jetë çdo rrugicë e qytetit”.

Durrësi është njëri ndër qytetet më pak të gjelbëruara në vend për shkak të ndërtimeve pa kriter të cilat shkatërruan kurorën e gjelbër, pasi pemët në kodrat e qytetit u zëvendësuan me hekur dhe beton. Po këtë fat pësuan lulishtet në qytet dhe në plazh gjatë viteve të shkuara. Për të zbutur efektet shkatërruese të ndërtimeve pa kriter, bashkia nga viti 2008 ka nisur të investojë në drejtim të gjelbërimit dhe projekti i saponisur kap shifrën e 25 milionë lekëve. Janë 1180 pemë që po mbillen në bulevardet e qytetit. Shumë shpejt do të marrë udhë një tjetër projekt, po për gjelbërimin, me vlerë 2.5 milionë lekë.

Në përfundim të projektit të parë do të jenë gjelbëruar rruga “Dyrrah”, e cila shtrihet nga pallati i sportit “Ramazan Njala” deri te bashkia, rruga “Shefqet Beja” nga prefektura te Mauzoleu i Dëshmorëve si dhe rruga nga Mauzoleu deri te Ura e Dajlanit. Më parë ishte gjelbëruar me palma Rruga Tregtare nga bashkia deri porti detar i Durrësit. Fidanët që po mbillen, janë të llojeve bli, kumbulla të kuqe, gështenja, manjola dhe rrepe.

Në kuadrin e gjelbërimit të qytetit, kryebashkiaku Dako në janar u bëri thirrje biznesmenëve të qytetit në përgjithësi dhe në veçanti pronarëve të lokaleve e dyqaneve buzë rrugëve, që të kontribuojnë për gjelbërimin e Durrësit. Duke folur për afrimin edhe të sezonit të ri turistik, ai deklaroi: “Falë bashkëpunimit me qeverinë, bashkia ka nisur hapat konkretë në zbatim të projekteve të investimeve në infrastrukture rrugore dhe turistike, duke angazhuar strukturat e saj të specializuara, për të pasur sërish një sezon turistik edhe për vitin 2009 të pëlqyer nga vendasit dhe të huajt”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›