Totem dhe tabu
1. Këtë javë opinioni publik u trondit nga vendimi i senatit të Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës për t’i hequr këtij universiteti emrin “Ismali Qemali”. Cili është komenti juaj për këtë ngjarje?
Dal pak këtu, të lutem. Nuk besoj se u trondit kaq shumë opinioni publik, se nuk u bë hataja. Nuk preket figura e Ismail Qemalit kaq kollaj nga vendimi i një senati. Shqipëria bën pa Universitetin e Vlorës, por pavarësia e saj është e lidhur pazgjidhshmërisht me emrin e Ismail Qemalit.
E them këtë se kësaj çështjeje nuk duhet t’i jepet një rëndësi më e madhe se çfarë e ka. Kam të drejtë ta kërkoj këtë sepse jam nga ata që jam shprehur kundër në shtyp vendimit të pagjetur të senatit të Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë për t’i hequr emrin e nderuar të atij burri institucionit që ata përfaqësojnë. I qëndroj mendimit tim, por disa gjera duhen sqaruar sepse e shikoj që është tepruar pak.
Pa dyshim që opinioni publik do të reagonte. Por, tani çështja duhet të hyjë në një rrugë më institucionale.
E gjithë makina e mediave televizive u vu në shpinë të senatit dhe të rektorit të Vlorës duke e dënuar. Reagimet ishin të drejta. Secili reagonte për veten e tij, por bashkimi i të gjithë zërave krijoi një kor shumë të fuqishëm. Pa dashje këtë po bëj edhe unë ndërkohë që them se nuk duhet tepruar. Nuk flitej veçse për këtë. Në këtë stinë vere shtypi kërkon subjektet e veta sepse jeta është paksa e vakët. Nëpër televizione kanë dalë dhjetëra duke shprehur mosaprovim, për më tepër nisën intervistat me njerëzit në rrugë që shpreheshin se “dënonin aktin”.
M’u kujtua romani “Doktor Zhivago” i Pastërnakut ku tregohet se si i gjithë sistemi i propagandës totalitare merrej me një njeri duke krijuar një mjedis terrori mediatik. E them këtë sepse shpesh u trajtua sikur kemi të bëjmë me një dënim të figurës së Ismail Qemalit nga ana e Universitetit të Vlorës. Tjetër është çështja e emrit të një universiteti dhe tjetër qëndrimi ndaj figurës së nderuar të babait të kombit Ismail Qemali. Nuk janë e njëjta gjë.
Pasi thashë se nuk ka vend për teprime, sepse kështu duket sikur brenda shoqërisë shqiptare nuk ka unitet vlerash as për figurat themeluese të kombit e të shtetit, gjykoj se veprimi i senatit të Vlorës ishte kryekëput i gabuar.
E dini si është puna? Nusja e re kur hyn në një shtëpi kërkon të bëjë reforma, pra ta ndryshojë ngjyrën e perdeve, divanet, frigoriferin, dhe mbase ka të drejtë. Kjo dëshira për ndryshim ndonjëherë e kap kaq shumë sa në një ditë i thotë vjehrrit: “Jemi që jemi a nuk e ndërrojmë edhe mbiemrin, o baba?”. Këtu fillon sherri pastaj.
Sa gjëra presim ne të ndryshohen në universitetet rajonale! Problemi i emrit të tyre është i fundit. Sigurisht, dikush ka dëshirë të gjejë ndonjë emër më bashkëkohor, që të thotë më shumë nëpër Evropë, por nuk është këtu puna. Se po të ishte kështu, le të mos e lënë me kaq dhe po të duan le t’ia venë emrin jo “Universiteti i Vlorës”, por t’ia venë “Universiteti i Otrantos”. Ngjan edhe më shumë evropian dhe ndërkombëtar.
Tjetër që një universiteti të ri mund t’i gjesh një emër më operues, ose thjesht ta lësh pa emër fare, dhe tjetër kur universiteti e ka një emër dhe ti kërkon t’ia ndërrosh. Pretendenti i heqjes së emrit të Universitetit të Tiranës këtu e pothuajse 20 vjet më parë ka krijuar stereotipin sikur çdo heqje emri ka të bëjë me një operacion të fshehtë apo indirekt kundërvënieje apo dënimi moral e publik të personit që ka pasur atë emër.
Pastaj edhe nëse është një e drejtë për autonomi, duhet të fiksohet një herë rregullorja e brendshme e universitetit, të përcaktohet se si funksionon për këtë çështje universiteti në fjalë dhe pastaj të veprohet lidhur me emrin. Kush e përcakton se për heqjen e emrit e ka të drejtën të vendosë senati dhe jo me referendum brendainstitucional apo nga instanca të tjera vendimmarrëse universitare? Përse përjashtohen studentët pas shpine, në kohë pushimesh nga vendimmarrja, përse nuk pyetet komuniteti, bashkia? E rregullt është kjo gjë nga ana demokratike? Nuk besoj. Pra, është vepruar pa bazë normative. Kjo të lë shije të keqe.
Pastaj, ata si universitarë duhet ta dinë se nuk mund të sillesh lirshëm me mitet themeluese të historisë kombëtare. Ja, dikush dëshiron të hajë mish shqiponje. Ndonjë i huaj edhe mund ta bëjë se në fund të fund shqiponja nuk është veçse një zog, sikurse pëllumbi, dallëndyshja, harabeli. Por, një shqiptar e ka megjithatë të vështirë, disi të pamundur ta bëjë të njëjtën gjë, sepse shqiponja është zog totem. E ka vështirë një popull, që prej kohëve parahistorike, që të pranojë t’i preket totemi i tij themelues.
Përgjithësisht nuk e bën një i huaj që të hajë qenien e vetë totem. Totemi, pra qenia e gjallë që konsiderohet si mit themelues i një bashkësie, ndalohet të preket, pra është tabu. Totemi është tabu, thoshte Sigmund Frojdi dhe me këtë titull ai pagëzon edhe një nga veprat kryesore të tij.
Ka një vënie dorë mbi tabunë në këtë vendim fatkeq.
Ka naivitetin e të shtruarit gosti me mish shqiponje.
Në këtë botë përmbysjesh vlerash, tranzicioni, individualizmi të skajshëm, operacionalizmi pragmatist, ka individë që harrojnë se simbolika është diçka reale, ka forcë reale, nuk mund të preken trarët e shtëpisë, qoftë edhe indirekt, qoftë edhe simbolikisht.
Po ky problem duket se u mbyll. Rektori i Universitetit të Tiranës - kryetar i shoqatës së universiteteve shqiptare - u shpreh, ministri e tha fjalën e tij, çështja u sqarua administrativisht.
Nga ana tjetër, nuk mund të thuhet se Universiteti i Vlorës pengohej nga emri Ismail Qemali në elanin e tij ndërkombëtarizues.
Ne prisnim që Universiteti i Vlorës në vazhdën e realizimit të strategjisë së arsimit të lartë të bëhej një universitet i mirë zonal, rajonal, kur me surprizë shohim se drejtuesit e tij paskan nisur një rrugë tjetër, për ta bërë ndërkombëtar!
Shumë mirë për këtë surprizë që i bënë opinionit publik, por nuk nis me emrin kjo.
Kush donte që emri i Ismail Qemalit të hiqej nga diplomat dhe përse? Kjo pyetje duhet sqaruar. Ndërkombëtarizimi nuk lidhet me studentët që vijnë nga vendet arabe, Kina apo Pakistani, apo ku e di unë se nga çfarë vendesh të tjera të largëta ku paska vajtur emri i Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës.
Jam kurioz të di përse këta individë marrin kaq rrugë të gjatë për të ardhur deri në brigjet tona?
Si i ekuivalentojnë diplomat e tyre të arsimit të mesëm?
Me çfarë procedurash pranohen?
A dinë shqip?
Si certifikohet zyrtarisht njohja e gjuhës shqipe prej tyre?
Në çfarë gjuhe i ndjekin leksionet?
Çfarë tarifash pranimi paguajnë etj.?
2. Në fillim të kësaj jave u mbyllën zgjedhjet e parakohshme për komunën e Kasharit, komunë e cila është në afërsi të Tiranës dhe ka në administrimin e territorit të saj shumicën e bizneseve më të rëndësishme të vendit. Në këto zgjedhje fitoi kandidati i PD-së, i dyti doli kandidati i LSI-së, i treti një kandidat i pavarur dhe i katërti kandidati i PS-së. Kryetari i PS-së, Edi Rama, i cilësoi këto zgjedhje me “rëndësi lokale”. Cili është komenti juaj mbi këto zgjedhje në raport me efektet që mund të kenë në PS dhe a mendoni se lidershipi i PS-së është i kërcënuar?
Sigurisht që vlerë lokale kanë këto zgjedhje. Por, në këtë rast, nuk duhet harruar se edhe zgjedhjet lokale kanë edhe përmasën e tyre testuese. Nuk kalohet kaq lehtë kjo. Megjithatë, nuk mendoj se lidershipi socialist është i kërcënuar. Një parti serioze përgatitet për zgjedhjet dhe nuk ka asnjë interes që të ndryshojë përgjegjësit e vet në rrugë e sipër.
Megjithatë, problemi mbetet. Midis Partisë Socialiste dhe partisë Lëvizja Socialiste për Integrim do të ndahet elektorati i majtë. Dhe këtu gjendja nuk paraqitet sikur zaret janë hedhur përfundimisht. Në këtë pikë ka disa dilema, sidoqoftë.
Së pari, zoti Ilir Meta ka figurën e një lideri të dorës së parë socialist. Për një militant të bazës është e vështirë të thotë e të bindet se një lider i lëvizjes për integrim është më pak socialist se një lider i partisë socialiste.
Së dyti, në planin opozitar, partia e tij ka sot për sot një pozicionim më të fuqishëm.
Së treti, në bazë, ka figura që janë më të rrënjosura në terren sesa një pjesë figurash të Partisë Socialiste që janë të vendosura më fort brenda unazës së Tiranës.
Së katërti, Lëvizja Socialiste për Integrim po luan kartën e një operatori politik të viktimizuar nga dy partitë e mëdha, kurse mendimi dhe veprimi politik i PS-së po njehsohet me reformat e përbashkëta me PD-në.
Së pesti, Lëvizja Socialiste për Integrim ka më pak peshën e ndonjë përgjegjësie qeverisëse në të kaluarën dhe gjykohet thjesht nga imazhi i saj i sotëm virtual. Kurse socialistët kanë peshën e qeverisjes së katër viteve më parë si edhe atë të disa bashkive të mëdha të vendit. Shqiptarët i hedhin pakënaqësitë e qeverisjes lokale mbi seleksionimin politik kombëtar. Ne votojmë në zgjedhjet parlamentare me logjikë lokale, dhe në zgjedhjet e pushtetit vendor, me logjikë politike. Kjo nuk duhet harruar.
Së gjashti, zoti Ilir Meta ka qenë një herë kryeministër dhe e mban këtë kurorë si kapital elektoral.
Së shtati, gjuha e komunikimit politik të LSI-së është më e thjeshtë dhe e kuptueshme për publikun, kurse ajo e zëdhënësve të PS-së është ose shumë e ashpër ose shumë e sofistikuar. Në të dyja rastet problematike paksa për t’u përçuar si duhet.
Së teti, shoh se në media ekuilibrat midis dy formacioneve të majta politike nuk janë fort të qëndrueshëm. Secila ka influencat e veta fort të ndjeshme.
Së nënti, me ose pa të drejtë, LSI-ja ka për çfarë ta kritikojë PS-në, kurse PS-ja nuk ka përse ta kritikojë LSI-në.
Së dhjeti, nga ana e përkatësive virtuale duket se PS-ja është tani më shumë një fenomen urban qendror, kurse LSI-ja ka shtrirje më tepër në popullsi rurale.
Unë nuk mund ta parashikoj që tani si do të shkojnë punët në muajt që do të vijnë, por këta faktorë nuk mund të injorohen. Ndikimi i tyre në Kashar sigurisht që mbetet veprues.
3. Ministria e re e Shëndetësisë, Anila Godo, e emëruar pak ditë më parë, premtoi një reformë të thellë në shëndetësi. Znj. Godo ka një eksperiencë të gjatë si mjeke dhe e njeh sistemin e shëndetësisë, mënyrën e funksionimit të tij. A mendoni se formati i saj politik dhe profesional premtojnë për më tepër sukses në reformën në sistemin e shëndetësisë?
Unë kam folur për këtë çështje duke e trajtuar politikisht ardhjen e saj në krye të shëndetësisë shqiptare. Kam qenë tërësisht i favorshëm, me besim të plotë. Nuk kam ndryshuar asnjë grimë në qëndrimin tim. Tani ju më kërkoni të jap gjykimin tim edhe në planin teknik. Për këtë jam i paaftë të përgjigjem. Besoj se zonja ministre së shpejti do të na japë një plan me pika për veprimin e saj, strategjinë e saj afatshkurtër dhe afatgjatë, dhe pastaj do të gjykojmë. Prisni pak. Ajo sa vuri këmbë në zyrë.