BE zgjat sanksionet ndaj Bjellorusisë

Këshilli Evropian miratoi sanksione të reja dhe masa të mëtejshme kufizuese të enjten, në përgjigje të përfshirjes së Bjellorusisë në pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia. Kjo u bë e ditur nga Komisioni Evropian nëpërmjet një deklarate.
“Masat e reja krijojnë një përafrim më të ngushtë të sanksioneve të BE-së që synojnë Rusinë dhe Bjellorusinë. Ato do të ndihmojnë për të siguruar që sanksionet ruse të mos anashkalohen përmes Bjellorusisë”, tha këshilli.
“Masat zgjerojnë ndalimin e eksporteve në Bjellorusi të një numëri mallrash dhe teknologjish shumë të ndjeshme që kontribuojnë në përmirësimin ushtarak dhe teknologjik të Bjellorusisë,”- tha ai.
“Këshilli vendos gjithashtu një ndalim shtesë të eksportit për armët e zjarrit dhe municionet, si dhe për mallrat dhe teknologjinë e përshtatshme për përdorim në aviacion dhe industrinë hapësinore.”
Sipas këshillit, ndryshimet përafrojnë sanksionet e Bjellorusisë me ato të aplikuara ndaj Rusisë.
“BE qëndron e bashkuar në solidaritetin e saj me Ukrainën dhe do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën dhe popullin e saj së bashku me partnerët e saj ndërkombëtarë, duke përfshirë mbështetjen shtesë politike, financiare, ushtarake dhe humanitare për aq kohë sa është e nevojshme”,- thuhet në deklaratë.
Sanksionet individuale përfshijnë zyrtarët e burgjeve, të cilët Këshilli Evropian thotë se janë “përgjegjës për torturimin dhe keqtrajtimin e të burgosurve, duke përfshirë të burgosurit politikë, propagandistët e shquar”, si dhe anëtarët e degës së drejtësisë “të përfshirë në ndjekjen dhe dënimin e kundërshtarëve demokratë, anëtarëve të shoqërisë civile dhe gazetarët.”
Subjektet e shënjestruara janë ndërmarrjet shtetërore që, sipas Këshillit Evropian, “kanë marrë masa ndaj punonjësve ose i kanë pushuar nga puna për pjesëmarrje në protesta dhe greva paqësore”. CNN
/rtsh.al/