Donald Tusk kërkon votëbesim pas humbjes në zgjedhjet presidenciale

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka njoftuar se do të kërkojë votëbesim në parlament për të rikonfirmuar mbështetjen ndaj qeverisë së tij. Vendimi vjen pas humbjes së kandidatit pro-evropian në zgjedhjet presidenciale të së dielës.
Tusk tha se kjo është një përpjekje për të forcuar koalicionin qeverisës dhe për të ruajtur stabilitetin politik, pas fitores së kandidatit të djathtë opozitar, Karol Nawrocki. Ai u zotua se qeveria nuk do të ndalet dhe do të dyfishojë përpjekjet për të çuar përpara reformat e premtuara.
Koalicioni i udhëhequr nga Tusk përbëhet nga parti të ndryshme ideologjikisht, por të bashkuara në synimin për të rikthyer sundimin e ligjit dhe balancat demokratike, pas tetë viteve të sundimit nga partia konservatore Ligj dhe Drejtësi (PiS).
Qeveria kishte shpresuar që kandidati liberal Rafał Trzaskowski do të fitonte presidencën dhe do të shmangte një tjetër bllokadë institucionale. Votëbesimi pritet të tregojë nëse Tusk ka ende shumicën për të vazhduar agjendën e tij politike.
Një ditë më parë, në një garë jashtëzakonisht të ngushtë, Karol Nawrocki, i mbështetur nga Partia Ligj dhe Drejtësi, fitoi zgjedhjet presidenciale të Polonisë, duke mposhtur rivalin e tij pro-evropian Rafal Trzaskowski.
Nawrocki arriti të siguronte 50.89% të votave në balotazh, ndërsa Trzaskowski 49.11%. Fitorja e Nawrockit ishte një goditje e madhe për qeverinë e koalicionit të udhëhequr nga Donald Tusk.
/rtsh.al/