E Shtunë, 31 Tetor 2026

Donatorët ankohen për rimbursimin e TVSH-së

Kreu i OSBE-së, Bosch: Politika të favorizojë investimet e huaja. Pollo: Rezultatet

Problemet me rimbursimin në kohë të faturave të TVSH po shqetësojnë edhe grupet e donatorëve në vend. Gjatë një takimi të zhvilluar dje, organizuar nga ministri Genc Pollo dhe shefi i OSBE-së, institucionet ndërkombëtare që asistojnë vendin tonë në disa projekte, si Koperacioni Italian, USAID, BB, KfW etj., kanë ngritur një sërë shqetësimesh lidhur me sistemin fiskal. Nuk u la pa u përmendur edhe situata politike në vend.

Robert Bosch, shef i Misionit të OSBE-së në Shqipëri dhe kryetar i radhës i sekretariatit teknik të donatorëve, tha se ambienti politik duhet të nxisë investime e huaja dhe të mbështesë projektet e donatorëve.

“Të gjithë donatorët shpresojnë që ambienti politik të nxisë më shumë zbatimin e programeve të miratuara. Donatorët kanë vijuar përpjekjet në grupet sektoriale që janë ngritur, por shumë prej tyre mendojnë se ka ende punë për të bërë. Shqipëria është një vend që po shkon drejt Bashkimit Europian dhe duhet të marrë përsipër që të përmirësojë edhe sistemin e prokurimeve. Ne do të presim përfundimin e vrojtimit për të dalë në një konkluzion se si zhvillohen tenderët në Shqipëri”, tha kreu i OSBE-së.

Për t’iu përgjigjur shqetësimit të donatorëve në lidhje me rimbursimin e TVSH-së, shqetësim i ngritur edhe gjatë takimit të fundit, Ministria e Financave kishte përgatitur një raport për rimbursimin e TVSH-së, i cili iu shpërnda pjesëmarrësve bashkë me një informacion mbi kuadrin makroekonomik të vendit.

Drejtorja e DEBASKON-it, Valbona Kuko, bëri një paraqitje të detajuar të ecurisë së zbatimit të Sistemit të Planifikimit të Integruar dhe monitorimit të SKZHI-së, dhe theksoi se vendi tashmë ka arritur një stad ku kuadri strategjik është plotësuar dhe fokusi duhet të vendoset te monitorimi.

Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit, Genc Pollo, foli edhe për liberalizimin e vizave. “Propozimi i fundit i Komisionit Europian, për të hequr vizat afatshkurtra për Shqipërinë është një hap historik për çdo qytetar shqiptar, i realizuar me punë e djersë”, tha ministri.
Sipas ministrit, lufta kundër krimit, korrupsionit përfshirë edhe pastrimin e parave mbetet prioritet dhe komuniteti i donatorëve ka mbështetur qeverinë me projekte të ndryshme në forcimin e masave antikorrupsion.

Një përmbledhje e shkurtër mbi iniciativën “Pista e Shpejtë mbi Ndarjen e Punës”(FTI-DoL) e adaptuar së fundmi nga qeveria dhe donatorët, dhe e ndihmuar nga Italia, u dha nga ambasadori italian, Saba D’Elia. “Vendosmëria dhe përkushtimi i qeverisë për efektivitetin e ndihmës së huaj bëri që iniciativa “Pista e Shpejtë mbi Ndarjen e Punës” midis donatorëve europianë të përputhet plotësisht edhe me Planin e Veprimit për Harmonizim për Shqipërinë.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›