E Diel, 1 Nëntor 2026

I tmerrshmi i vjedhjeve kapet me makinë me qira

Tiranë Sapo kishte dalë nga spitali, pasi u plagos me thikë

I tmerrshmi i mitur i vjedhjeve, Markeljan Cungu, duket se nuk ka qenë aq i plagosur pas përplasjes me të zotin e një shtëpie që kishte vjedhur. Ditën e djeshme, ai është kapur me një makinë luksoze, të cilën e kishte marrë me qira dhe po bënte xhiro nëpër Tiranë. Burimet policore thanë se menjëherë kanë bërë shoqërimin e tij dhe sekuestrimin e mjetit. Sipas të dhënave, ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites, pranë vendit të quajtur “9-katëshet” në Tiranë. Gjatë një kontrolli rutinë, punonjësit e policisë së Komisariatit Nr. 1 kanë bllokuar një mjet “Mercedes Benz” me targa të Tiranës. Në timon kanë gjetur 12-vjeçarin Markeljan Cungun, i njohur për vjedhjet e shumta, bashkë me katër bashkëmoshatarë. Fillimisht policia ka menduar se mjeti ishte i vjedhur, por ka rezultuar se Markeljani e kishte marrë me qira për dhjetë ditë dhe kishte paguar nga 11 mijë lekë të reja në ditë për të. Policia ka sekuestruar mjetin dhe ka shoqëruar të miturit, duke i lënë të lirë për shkak moshës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›