Rama: Protestat mbeten opsion i hapur
Ne nuk tërhiqemi nga kërkesa jonë dhe se rruga e protestave mbetet e hapur nëse pala tjetër nuk do të pranojë zgjidhjen. Kështu, pas dy javësh qetësie relative, kreu socialist, Edi Rama, ka rikthyer në fjalorin politik protestën e rrugës. Duke folur në atë që njihet si bashkëbisedim me gazetarët, kryetari i Partisë Socialiste ka apeluar për një zgjidhje të krizës aktuale që, sipas tij, mbahet peng nga shumica në pushtet dhe posaçërisht Kryeministri Sali Berisha. Përfundimi i afatit dyjavor, i artikuluar si ultimativ, gjithsesi ka fituar një shtyrje të re dje, që është pagëzuar me paralajmërimin për rifillim të politikës së rrugës. “...Vendi nuk është në një periudhë lufte me afate, që në momentin e përfundimit prodhojnë ndonjëherë efekte bombarduese. Por jemi në një proces ku janë përfshirë ndërkombëtarët dhe është vendosur një afat për të gjetur një zgjidhje, që është i lidhur me procesin e integrimit dhe me marrëdhëniet e Shqipërisë me BE-në e PE-në dhe komunitetin ndërkombëtar”, sqaroi Rama shtyrjen e afateve të negociatave. Ky qëndrim u paralajmërua një ditë më parë edhe nga deputeti socialist Ditmir Bushati, i cili e ka vlerësuar shtyrjen e rezolutës për Shqipërinë në Parlamentin Europian, si një shuplakë për qeverinë, por edhe një moment i dobishëm kohor që mund të nxisë reflektimin. Në raport me afatet e vëna nga komuniteti ndërkombëtar në darkën e Strasburgut, kreu i PS-së është shfajësuar, duke nënvizuar se përgjegjësia për bllokimin e deritanishëm bie mbi Sali Berishën dhe shumicën qeverisëse që ai drejton. Madje, sipas tij, disponimi i opozitës për zhbllokimin e situatës, ulja e saj në tryezën e bisedimeve, si dhe rikthimi në institucione në thelb nuk ka përmirësuar asgjë për sa kohë që qeveria nuk pranon të riaktivizojë mekanizmat e duhur për transparencën e zgjedhjeve si akt i funksionimit të demokracisë. “Fakti që ne jemi vënë në dispozicion për të zgjidhur krizën nuk do të thotë që kriza është zbutur, ajo qëndron në themelin e procesit demokratik dhe zgjidhja e krizës është transparenca...”, nënvizoi kryetari i PS-së.
Në orët e pasdites së djeshme, Rama ishte në qytetin e Beratit, ku ka falënderuar deputetët e këtij qarku, strukturat e PS-së lokale, si dhe njësitë vendore që drejtohen nga socialistë për mbështetjen që dhanë me grevën e urisë. I shoqëruar nga deputetët e majtë të këtij qarku, Erjon Braçe, Fidel Ylli dhe Ermonela Felaj Rama, mbërriti rreth orës 16.00 në Pallatin e Kulturës, ku është takuar me socialistët e këtij qarku. “Besoj se falë asaj greve, pas saj flitet më lehtë për ideale, gjithkush ndihet më i qetë kur flitet për ideale, pasi ato janë motivet më të forta që kjo parti tregoi se është në gjendje të bëjë sakrifica. Ne jemi sot këtu për t’ju falënderuar pafundësisht për atë që bëtë me mbështetjen tuaj, por jemi sot këtu për të bërë bilancin e gjithçkaje që ka ndodhur dhe treguar vendosmërinë tonë për të ecur përpara. Përpjekja jonë është përpjekja për t’i dhënë vendit jo vetëm mundësinë që të zgjedhë, por dhe për t’u qeverisur prej atyre që ka votuar”, u shpreh Rama. çështja e transparencës së zgjedhjeve, vijoi ai, tashmë është shtruar për t’u zgjidhur një herë e mirë. “Fakti që kjo çështje tashmë është shtruar, është d.m.th. më e madhja e arritjeve konkrete e asaj nisme që ne ndërmorëm dhe se jo të gjithë na besuan”, insistoi Rama.
#