E Shtunë, 31 Tetor 2026

Donatori Muho: Luftëtari, me 100% në superiore

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Me ekipin gjirokastrit është bashkuar në Ulqin edhe mbrojtësi tiranas Jetmir Nino, që ka luajtur me Tomorin fazën e parë

Luftëtari luajti 14 ndeshje për fazën e parë të kampionatit të 65të të kategorisë së parë, sepse ajo me Kukësin është shtyrë për më 8 shkurt.  Ekipi gjirokastrit kryeson me meritë, duke pasur 11 fitore, 1 barazim dhe 2 humbje, me golaverazhin e përgjithshëm 25-8. Golat janë realizuar nga Nora (10), në të cilët përfshihen 4 dygolsha, Raboshta (5), me një dygolësh, Mersini, Sinani, Baci dhe Çaço (nga 2), Devolli (1), si dhe 1 autogol.

Pra, janë 7 golashënues të vetët dhe një dhuratë. Golat e pësuar i  ngarkohen të gjithë Selimajt, i cili nuk ka munguar asnjë çast në portën e Luftëtarit. Kështu, Luftëtari ka shënuar më shumë gola se çdo ekip tjetër dhe ka pësuar më pak, pas Besëlidhjes.

E ndërsa këta tregues, që e çuan drejt suksesit, fazën e dytë duhen thelluar dhe pasuruar, ndryshe duhet bërë me kartonët e verdhë e të kuq, që kanë sjellë 8 pezullime futbollistësh, ku më shumë i ka ndjerë Stoja, me 6  ndeshje dënim. Në fakt, si dënimet ashtu edhe disa dëmtime, fazën e parë nuk u ndjenë, sepse Luftëtari ka mjaft lojtarë me nivel të përafërt.

Muho Aktualisht, Luftëtari po përgatitet në Ulqin të Malit të Zi. Donatori Qazim Muho bën të ditur se ekipit i është bashkuar edhe mbrojtësi tiranas Jetmir Nino, që luante me Tomorin. Përforcimet  po i bëjmë për të qenë më të sigurt në realizimin e objektivit, që them se 100% do të realizohet. Pra, sezonin tjetër Luftëtari do të jetë patjetër në superiore, – ka thënë donatori Muho.

Ndryshimet Luftëtarit i janë bashkuar në Ulqin Strati dhe Nino. Në dispozicion të stafit teknik, me në krye Nevil Deden, janë 22 futbollistë, ndërkohë që mund të afrohet edhe ndonjë tjetër. Pra, me përforcimet që po bëhen, do të kemi një Luftëtar më të konsoliduar në të gjithë sektorët, ndërkohë që nuk duhet asnjë thërmi mendjemadhësie, por vetëm stërvitje dhe luftë sportive në të gjitha ndeshjet, që, ashtu sikundër kuptohet, në vazhdim do të vijnë duke u vështirësuar. Jo vetëm disa pretendentë për superligën, por edhe ekipet që duan të qëndrojnë në kategorinë e parë, do të luftojnë me të gjitha forcat për të rrëmbyer sa më shumë pikë.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›