E Shtunë, 31 Tetor 2026

Te Lushnja kthehen të dëmtuarit, qetësohet stafi teknik

Nga Julian Kasapi

Lushnja vijon përgatitjet në Ulqin të Maliqt të Zi prej një jave. Stafi teknik po zhvillon dy seanca në ditë, të diferencuara nga njëra-tjetra jo vetëm në kohë, por edhe në marrjen e ngarkesave fizike.

Procesi stërvitor ka pasur ecuri pozitive për 33 futbollistët e grumbulluar në Ulqin, ku problemet mungojnë. Ndërkohë, skuadra lushnjare nuk po gjen dot kundërshtarë për miqësore. Në këtë mënyrë, ata mund të provohen mes tyre dhe të shohin sa janë të aftë për ta përballuar fazën e dytë, mjaft e rëndësishme për verdhejeshilët dhe synimet e tyre për tu ngjitur në superligë.

Këto ditë janë duke shkuar mjaft mirë dhe skuadra e pret me frymën dhe mendësinë e duhur gjysmën e dytë të kampionatit. Fakt është se Lushnja ka bërë vetëm një përforcim në merkaton e janarit dhe ky është lushnjari Xhafa, i cili e ka kapur mjaft shpejt lojën e skuadrës.

Nga ana tjetër, mjaft i rëndësishëm është riaftësimi i plotë i kapitenit Gentian Çela, lajm që ka ngrohur së tepërmi gjithë sportdashësit lushnjarë, të cilët mezi presin ta shohin në fushë këtë futbollist virtuoz në mesfushë. Gjithashtu, edhe kthimi i mesfushorëve Gjoni dhe Topi ka sjellë më shumë qetësi  për stafin teknik, që në fillim të janarit dukej se kishte vetëm një skuadër në letër. Tashmë të gjithë janë rikthyer, edhe pse me sakrifica personale, kështu që grupi jep siguri për pjesën e mbetur të kampionatit.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›