Dondollaku: Dua gjykim të shkurtuar
Bashkëpunëtori më i ngushtë i Aldo Bares, Enver Dondollaku, ka kërkuar dje gjykim të shkurtuar për veten. Avokati mbrojtës i është drejtuar Gjykatës së Krimeve të Rënda gjatë seancës së djeshme gjyqësore, që gjykimin e çështjes ta vazhdojë ashtu siç janë aktet e paraqitura nga prokuroria. Enver Dondollaku akuzohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për pjesëmarrje në pesë vrasje të kryera gjatë viteve 1997-2003 në qytetin e Lushnjës për llogari të "bandës" së drejtuar nga i arrestuari tashmë në Turqi, Aldo Bare. Sipas prokurorisë, i pandehuri ka marrë pjesë në kryerjen e veprave penale të "vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të viktimës", ku mbeti i vrarë Klenti Bano, ish-oficer krimesh në Lushnjë. Për akuzën e "vrasjes me paramendim" në kohë të ndryshme të shtetasve: Bledar Haxhiu, Artan Sulçe, Nosh Gjeloshaj dhe Alfred Pirra, si dhe në "vrasjen e mbetur në tentativë" të shtetasit Bernard Linatopit. Dosja hetimore në ngarkim të Enver Dondollakut u kthye për gjykim nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, ndërsa Gjykata e Lartë nuk pranoi rekursin e tij, për shkak të shkeljeve të gjetura në dosje nga dy gjykatat e tjera. Dosja hetimore në ngarkim të Dondollakut u veçua në vitin 2007 nga të pandehurit e tjerë, Maksim Çela, Dritan Vila, Erion Cici dhe i penduari Petrit Liçi, të cilët tashmë janë dënuar në formën e prerë me masa të ndryshme dënimi.