Mister shkaqet e vetëflijimit
Një 58-vjeçar nga Belshi i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur, ndërkohë që mbeten mister shkaqet që e kanë çuar drejt vetëflijimit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 të mbrëmjes së të enjtes, në Belsh, rreth 20 kilometra në jugperëndim të qytetit të Elbasanit. Sipas burimeve zyrtare të policisë bëhet e ditur se Rexhep Tafani, 58 vjeç, është gjetur i varur në një magazinë, brenda territorit të banesës së tij. Menjëherë pas këtij njoftimi të marrë nga ana e policisë lokale, ekspertët kriminalë të Elbasanit kanë shkuar në vendngjarje. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe kufomës, ku nuk janë gjetur dëmtime fizike apo shenja dhune në trup, është deklaruar se bëhej fjalë për një vetëvrasje. Nga deklarimet e të afërmve, u konstatua se 58- vjeçari Tafani është gjendur i vetëvarur në magazinë dhe paraprakisht mendohet se veprimi është kryer në kushtet e depresionit nervor. Sipas personave të afërm me familjen e të ndjerit, bëhet e ditur se Tafani i kishte fëmijët e rritur dhe prej disa vitesh jetonin dhe punonin në emigracion në shtetet fqinje. Bënte një jetë normale, kishte të ardhura të mira financiare. Para disa vitesh ka punuar si shofer i një autobusi udhëtarësh në linjën Elbasan-Belsh dhe së fundi kishte marrë edhe një furgon, duke kryer të njëjtin profesion. Sidoqoftë, policia është duke vazhduar hetimet, ndërsa materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Elbasanit për veprime të mëtejshme për veprën penale "shkaktim i vetëvrasjes".
Be. Dy.
Be. Dy.