Vjedh një kioskë, pranga 50-vjeçarit
Vjedh një celular dhe dy steka paketash në kioskën e lagjes, prangoset një 50-vjeçar nga qyteti i Fierit. Burime zyrtare nga policia lokale bënë të ditur se është arrestuar në kushtet e flagrancës, Asllan Likaj, lindur e banues në qytetin e Fierit për vjedhje. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se ndalimi i Likajt është bërë në orën 22:30 të së enjtes, një orë pasi 50-vjeçari ka vjedhur një celular dhe dy steka paketash në një kioskë të lagjes "8 Shkurti". Pas vjedhjes së këtyre sendeve 50-vjeçari është larguar, ndërkohë që pronari i saj, Vasil Senka, është rikthyer për të marrë celularin në kioskë, por ka dalluar vjedhjen. I dëmtuari ka njoftuar policinë dhe vetëm pak minuta hetimesh në lagjen periferike të Fierit kanë mjaftuar për policinë që të gjejë dhe identifikojë autorin. Burimet zyrtare të drejtorisë së policisë thonë se gjatë kontrollit në banesën e 50-vjeçarit është gjetur celulari dhe dy stekat e vjedhura. Atij i janë vënë prangat dhe pas dërgimit në komisariat i janë komunikuar akuzat. Kujtojmë se vjedhjet me anën e dëmtimit dhe grabitjet janë kthyer në fenomen shqetësues për qarkun e Fierit.
Ma.Tr.
Ma.Tr.