Trafiku i heroinës, kapet i riu shqiptar
Një i ri shqiptar, emigrant në Greqi, u arrestua në orët e para të ditës së premte si i dyshuar për trafik lëndësh narkotike, informojnë mediat greke. Shpëtim Shkalla, 23 vjeç, emigrant shqiptar me leje të rregullt qëndrimi në Greqi, i njohur me emrin Sotir Shkalla, u arrestua në kushtet e flagrancës nga Sektori Antidrogë i policisë në Thasos të rajonit Kavalla. Policia bëri të ditur se bashkë me Shkallën ka arrestuar edhe një 38-vjeçar grek, i dyshuar për trafik heroine në bashkëpunim. Që të dy u gjendën në një makinë tip veturë, në të cilën u gjet edhe një sasi e vogël heroine që mbanin me vete dy të dyshuarit. Kontrolli në makinë rezultoi me gjetjen e një tjetër sasie të vogël heroine nën mbulesat e sediljeve. Ndërkohë policia ka kryer edhe një kontroll të imët në banesën me qira ku jetonte 23-vjeçari Shkalla në qytetin Thasos. Atje u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale rreth 25 gramë lëndë e fortë narkotike, heroinë, peshore e saktë, si dhe mjete të posaçme për përgatitjen e drogës për shitje.