Rrihet polici se kërkoi dokumentet e makinës
Një punonjës policie ka rënë pre e dhunës së një 25-vjeçari, ndërsa një tjetër është fyer prej një drejtuesi automjeti. Ngjarjet flagrante kanë ndodhur në Tiranë, pasi dy të rinjtë kanë kundërshtuar punonjësit e policisë në krye të detyrës. Sipas të dhënave hetimore, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 Tiranë u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit Gerhard Hasan Duro, 25 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tij u bë sepse ndaj tij është depozituar një kallëzim penal nga një punonjës policie, i cili ka deklaruar se dje ka qenë me shërbim në Qafë Kashar dhe shtetasi i mësipërm e ka goditur duke e kundërshtuar me dhunë, fyer e kanosur, për shkak të detyrës. Sipas policisë, rreth orës 12:30, 25-vjeçari ishte përplasur me punonjësin e policisë, i cili i ka kërkuar dokumentet dhe ka rënë pre e dhunës. Për këtë rast u kryen veprimet procedurale dhe materialet do t‘i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale të "kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik", "goditjes për shkak të detyrës", "kanosjes për shkak të detyrës" dhe "fyerjes për shkak të detyrës". Ndërsa në lidhje me rastin e dytë, burimet policore shpjeguan se shërbimet e Komisariatit nr. 2 dërguan për ndjekje penale në gjendje të lirë shtetasin Ylber H., 30 vjeç, banues në Tiranë, me arsim 16 klasë. Sipas të dhënave hetimore, rreth orës 11.30, te stadiumi "Dinamo", për shkak të detyrës, ka fyer punonjësin e policisë së rendit. Policia tha se kohët e fundit janë shtuar rastet e kundërshtimit të punonjësve të policisë, sidomos në rastin e masave të marra për parandalimin e aksidenteve rrugore.